Serbët nga Kosova nisen me autobusë për të votuar në Serbi, kolona makinash në Jarinje dhe Merdare

16/01/2022 17:28

Autobusë me qytetarët serb janë nisur sot nga veriu i Mitrovicës për në Serbi, për të votuar në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese, duke krijuar trafik.

Serbët e Kosovës do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në qendrat e votimit në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë.

Udhëtimi i qytetarëve serbë me autobusë në këto vende, ka shkaktuar kolona të gjata në pikat kufitare në Jarinje dhe Merdare.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, raportohet se në dalje të këtyre dy pikave kolona është e gjatë nga 100 deri në 200 metra, kurse pritjet janë 15 deri në 60 minuta, sipas Telegrafit.

Gjatë ditës sot në Mitrovicë qytetarët serb mbajtën një tubim simbolik, ku kundërshtuan vendimin e shtetit të Kosovës, që referendumi serb të mos mbahej atje. Pas tubimit kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq paralajmëroi reciprocitet.

Grumbullime të serbëve pati edhe në disa komuna tjera si në Gorazhdevc të Pejës, në Klinë, Istog e disa qytete tjera.

Të gjitha këto tubime kanë përfunduar pa incidente. Edhe forca të shtuara të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë parë në veri të vendi. Autoblindat e tyre janë parë në afërsi të Zveçanit, ku po monitorojnë situatën nga afër.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës dje miratoi rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum  të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA