Protesta e serbëve për votat/ Qeveria e Kosovës u ndaloi të drejtën të marrin pjesë në referendumin e Serbisë

16/01/2022 20:36

Rreth 100 qytetarë serbë kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës pas miratimit të rezolutës kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës.

Ata kanë vendosur në shesh një kuti të votimit në formë performance, në të cilën votuan simbolikisht dhjetëra pjesëmarrës. Ministri për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, duke kërkuar mbështetjen e ndërkombëtarëve, ka potencuar para të pranishmëve disa pika, duke përmendur këtu se serbët e Kosovës qëndrojnë fuqishëm në krah të shtetit të tyre Serbisë, dhe se nuk do të lejojnë që të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë. Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse serbët e veriut nuk lejohen të votojnë edhe për zgjedhjet serbe që do të mbahen më datë 3 prill, atëherë do të aplikojnë reciprocitet ndaj Prishtinës në të gjitha fushat.

Serbët e Kosovës duan të drejta të barabarta për të gjithë dhe nuk do të lejojë që Prishtina ti trajtojë si qytetarë të rendit të dytë dhe t’ua shkurtoj të drejtën e votës… Që tani porosisim se zgjedhjet serbe më 3 prill do të mbahen në të gjitha hapësirat e Kosovës… Ia tërheqim vërejtjen Prishtinës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare se vendimi për ndalimin e referendumit do të prodhojë pasoja të paparashikueshme të cilat në veri të Kosovës do të sjellin reciprocitet ndaj Prishtinës në të gjitha fushat në të cilat Prishtina thyen dhe mohon të drejtat e njeriut ndaj serbëve“, ka thënë Rakiç.

Ai nuk ka sqaruar saktë ç’ka nënkupton me fjalën reciprocitet, dukë thënë se kjo do të kuptohet më 3 prill, nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ndërsa në pyetjen e gazetarëve se a mund të kthehen barrikadat, është përgjigjur se të gjitha opsionet janë të mundura.

 

Top Channel