Partizani dhe trajneri debutues i tij Dritan Mehmeti e nisin me këmbë të mbarë vitin e ri.
Skuadra e Të Kuqve mori një fitore të pastër në Rrogozhinë ndaj Egnatias me rezultatin e pastër 3-0 duke marrë 3 pikët e kësaj ndeshjeje. Që në minutat e para u duk se ishte Partizani ai që e dëshironte më me forcë fitoren e kësaj përballjeje. Të Kuqtë krijuan rastet e shënimit, por avantazhin në rezultat e morën në minutën e 47 me Malën që nuk i la mundësi reagimi portierit të Egnatias. Në pjesën e dytë Partizani shënoi një tjetër gol këtë radhë me Skukën që debutoi në mënyrën më të mirë të mundshme me fanelën e skuadrës kryeqytetase. 12 minuta më vonë, partizani mbylli llogaritë e sfidës me Malën që fiksoi rezultatin 3-0 për të Kuqtë që shkojnë në 21 pikë në vendin e pestë, ndërsa Egnatia mbetet në vendin e parafundit me 14 pikë pas 16 javëve.
Teuta zhytet akoma më thellë në krizë. skuadra durrsake zhgënjeu tifozët e saj pasi në stadiumin e Kamzës u mund nga Kastrioti 2-0 ku për skuadrën krutane bëri debutimin në stol trajneri Emiliano Çela. Kastriotit i mjaftuan 15 minutat e para të ndeshjes për të marrë avantazhin me Bedri Grecën.
Teuta e pati të pamundur të reagonte, ndërsa krutanët në minutën e 72 i dhanë goditjen përfundimtare skuadrës kampione në fuqi të vendit teksa shënuan edhe golin e dytë me Ajazin për të marrë kështu 3 pikë të çmuara për luftën për mbijetesë në Abissnet Superiore. Sfida që do të mbyllë javën e 16 të superiores ajo mes Kukësit dhe dinamos do të luhet pasditen e së mërkurës në 19 janar në Elbasan Arena dhe do të transmetohet në platformën Digitalb.
Top Channel