Partizani e ka nisur në mënyrë më të mirë të mundshme vitin 2022, duke qenë se në debutimin e trajnerit Dritan Mehmeti, skuadra ia doli të merrte tre pikët e plota pasi mposhti në transfertë Egnatian me rezultatin e pastër 0-3 (për herë të parë në këtë sezon Partizani realizon tre gola).
Në fakt, prej fillimit u duk qartë dëshira e kryeqytetasve për të marrë maksimumin teksa në sulm ekipi rreshtohej me tre sulmues si Cara, Junior dhe Skuka.
Por, sinjalin e parë e dha Mala me një inkursion personal, por që në fund nuk ia doli ta konkretizonte aksionin. Në vazhdim ishte edhe një mundësi për Junior, por sulmuesi u ndal nga Shtubina dhe Krasniqi. Gjithsesi, edhe Egnatia “tregoi dhëmbët” në minutën e 28, kur Imeri ishte i pafat teksa tentative e tij nga goditja e dënimit u stampua në traversë me portierin Alban Hoxha krejtësisht të mposhtur.
Sakaq, Partizani reagon me një rast të Rrapaj që godet nga distance megjithatë pa rrezik, teksa 16-herë kampionët e Shqipërisë e kishin ruajtur spektaklin për fraksionin e dytë të ndeshjes. Kështu, në minutën e 47, Mala shënon një gol të shkëlqyer duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit Puja. Egnatia provon të reagojë me Maganin, por sulmuesi përballë Hoxhës nuk ia doli të konkretizonte.
Nga ana tjetër, Junior “kërcënon” vendasit në minutën e 54, por nuk gjen kuadratin e Pujës. Gjithsesi, goli i dytë do të vinte në minutën e 61, teksa është Xhuliano Skuka që shënoi në debutimin me Partizanin pasi shfrytëzoi më së miri një asist të Sotës. Ndërkaq, Partizani nuk u ndal me kaq, por e “vrau” përfundimisht ndeshjen në minutën e 73, falë Arinaldo Rrapajt i cili shënoi pas një topi të ardhur nga portieri Puja, i cili nuk largoi siç duhej pas goditjes së Malës.
Minutat në vazhdim nuk prodhuan më episode dhe Partizani mori tre pikë, duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve teksa skuadra renditet në vendin e pestë. Sakaq, rëndohen pozitat e Egnatias së trajnerit Zekirija Ramadani, me rrogozhinasit që mbeten në vendin e parafundit me vetëm 14 pikë pas 16 javëve kampionat.
90+4′ Përfundon ndeshja në Rrogozhinë, Partizani fiton pastër me rezultatin 0-3 ndaj vendasve të Egnatias
73′ Gooooool! Të kuqtë shënojnë sërish, këtë herë ai që tund rrjetën është Rrapaj me mesfushorin që përfiton nga një grushtim jo shumë i saktë i Pujës pas goditjes së Malës.
61’Goooooool! Partizani dyfishon shifrat ndaj Egnatias, Sota fton në aksion Skukën dhe sulmuesi nuk fal përballë Skukës
57′ Imeri lëviz mirë, por në fund nuk ia del të rrezikojë seriozisht portën e Hoxhës
54′ Partizani pranë golit të dytë, Stenio Junior lë në vend Allmuçën, por në fund sulmuesi nuk gjen kuadratin e portës së Pujës
49′ Egnatia provon të kundërpërgjigjet, por Magani nuk ia del të konkretizojë përballë Hoxhës
47′ Gooooool! Partizani gjen rrugën e rrjetës, Mala shënon një gol shumë bukur nga një kënd i vështirë
45+1′ Përfundon pjesa e parë në Rrogozhinë, Partizani shtyn vazhdimisht në sulm ndërsa Egnatia ndalet në sulm
37′ Arinaldo Rrapaj në një aksion individual, provon një goditje nga distanca por Puja pret në pozicion
36′ Harkim i H.Markut në zonë aty ku Skuka devijon me kokë por topi nuk ka forcën e duhur dhe pritet lehtësisht nga portieri Puja
28′ Goditje dënimi për Egnatian. Ekzekutim shumë i bukur i Demir Imerit, por topi përplaset në traversë.
23′ Mundësi e mirë për Stenio Junior, devijon në momentin e fundit Gëzim Krasniqi.
7′ Partizani shfaqet në sulm me Malën, por mesfushori nuk ia del të krijojë rrezikshmëri në zonën e rrogozhinasve
1′ Nis ndeshja në Rrogozhinë, Egnatia pret Partizanin
Formacionet:
Egnatia(4–2-3-1): Puja, Shtubina, Krasniqi, Krivanjeva, Allmucca, Eller, Iseni, Demiri, Jackson, Ademi, Magani
Trajner: Zekirija Ramdani
Partizani(4-3-3): Hoxha, A.Marku, Bitri, Belica, Sota, Rrapaj, H.Marku, Mala, Junior, Cara, Skuka
Trajner: Dritan Mehmeti/ Supersport
Top Channel