Basha në Fier, Berisha në Shkodër/ Kryedemokrati pritet me protestë: Mos iu dorëzoni ‘trekëndëshit’

16/01/2022 12:00

Dy demokratët, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha kanë organizuar takime me demokratët në qytete të ndryshme të vendit këtë të dielë.

Berisha në Shkodër e Basha në Fier kanë mbledhur forcat për të mbajtur afër mbështetësit e tyre, ndërsa situatat e brendshme politike e Partisë Demokratike sa vjen e bëhet edhe më e ashpër.

Një pjesë e demokratëve të Fierit nuk e kanë mirëpritur kreun e PD-së, Lulzim Basha në qytetin e tyre. Ata kanë zgjedhur të protestojnë me pankarta dhe të bllokojnë rrugën. Është dashur ndërhyrja e policisë që rruga të hapet.

Ata janë dëgjuar të thonë “O Berisha o hero gjithë Fieri ty të do”, “ Basha ik”, ”Rroftë Sali Berisha”, ndërsa nuk kanë kursyer edhe ofendimet ndaj policisë, të cilët kanë krijuar një kordon për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit të makinave.

Ndërsa ish kreu i PD-së, është pritur nga mbështetës të zjarrtë të tij, të cilët kanë brohoritur për të. Ky është takimi i parë i tyre me demokratët, pas protestës së dhunshme të 8 janarit në selinë blu.

Basha u bëri thirrje të gjithëve që ta lënë pas të shkuarën, duke nënkuptuar Sali Berishën dhe të zgjedhin të ardhmen.
Ai gjithashtu lajmëroi se do të zhvillojë takime me demokratët nga veriu në jug të vendit, duke theksuar se kanë detyra të mëdha për të realizuar.

“Përgjigja jonë ndaj dhunës së qeverisë, kjo është vija e kuqe që u vendos më 8 janar nga Sali Berisha dhe një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me demokratët. Dua t’ju ftoj të gjithë demokratët që do të shkoj t’i takoj nga jugu në veri le ta lëmë të shkuarën pas se kemi zgjedhur të ardhmen dhe kemi detyra të mëdha”, tha Basha.

Ai këshilloi demokratët që të mos dorëzohen para ’trekëndëshit të Bermudës’, që nënkupton aleancën e fshehtë mes presidentit Ilir Meta, ish kreut të PD-së, Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama.

“Kësaj shumice i themi mos e humbni besimin tek Shqipëria, mos u dorëzoni para trekëndëshit, kalorësve të tranzicionit që kanë marrë gjithçka dhe nuk duan të japin asgjë, që duan të jenë në karriget e pushtetit, se ata janë pakica absolute sado të zhurmshëm të jenë. Pushteti i grabitur nga sovranët. Shumica e shqiptarëve meritojnë ndryshimin, e duan dhe është misioni ynë të ndjekim ndryshimin. Sot jemi më të qartë se u ndal ndryshimi. Jemi më të qartë se miqtë dhe aleatët tanë nuk ishin aq zëlartë kur masakra zgjedhore e ndali ndryshimin”, tha Basha.

Ndërsa Ish-Kryeministri nga Pallati i Sportit në Shkodër  tha se Bashën e pret vrima e miut nga revolucioni që kanë nisur dhe se kushdo që e do për kryetar opozite nuk do lirinë.

“U them deputetëve të Shkodrës bashkohuni një orë e më parë me qytetin tuaj, bashkohuni me vuajtjen sakrificës e tyre që ju votuan ju. Ndahuni nga Lulzim Basha se atë e pret vrima e miut, nga ky revolucioni paqësor i nis që askush nuk e ndal. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik në Shqipëri. Ata që e mbështesin ata tallen me përçmim ndaj shqiptarëve, tallen me lirinë me vlerat e pluralizmit me vetë pluralizmit politik në Shqipëri. Ne do të zhvillojmë takime në çdo anë të Shqipërisë ne do të ndezim dritën e lirisë së shqiptarëve, në do të bëjmë çdo përpjekje që pasioni ynë të jetë liria dhe vetëm liria”, tha Berisha.

Protesta e thirrur nga Seli Berisha në selinë e PD mesditën e 8 janarit shënoi kulmin e mosmarrëveshjeve të brendshme të Partisë Demokratike.

Misioni i protestuesve ishte i qartë, futja me çdo kusht në selinë blu. Ata mundën të hyjnë vetëm në katin e parë dhe tentuan pa sukses të çmontonin dyert e blinduara që të çojnë në katin e dytë me çdolloj mjeti.

Ata që donin të realizonin futjen nga dritaret, ku u përballën me gaz lotsjellës hedhur nga brenda selisë së PD-së.

Pas më shumë se dy orë protestë, ndërhyrja e policisë me kërkesën e PD-së bëri që të shpërndaheshin protestuesit, ndërsa Berisha ndodhej brenda selisë.

Pas arrestimeve, Gjykata e Tiranës  të mërkurën vendosi të lirojë nga burgu 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.

Ndër të tjera, Kryesia e PD-së përjashtoi përgjithmonë nga Partia Demokratike Sali Berishën dhe mbështetësit e tij, Bujar Nishanin, Flamur Nokën, Albana Vokshin, Edmond Spahon, Arben Ristanin, Rigels Muçollarin, Klevis Balliun dhe Keltis Krujën.

Ndërkohë, janë pezulluar deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Top Channel