Vjedhje alkooli, lekësh e frutash të thata dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur/ Arrestohen 2 persona në Korçë

15/01/2022 16:34
Foto ilustruese

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale.

Një 19-vjeçar i identifikuar me inicialet E.S., u vu në pranga për tre vjedhje në biznese private të ndodhura javën e fundit në qytetin e Korçës. Për këtë u shpall në kërkim edhe S. S., 21 vjeç, banues në Pogradec dhe filluan procedimin penal ndaj një 14-vjeçari, banues në Korçë.

Të tre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të dyshuar të ngjarjeve të ndodhura konkretisht më datë 07.01.2022, në lagjen nr. 9, Korçë, ku në dyqanin e shtetasit D. B., janë vjedhur një sasi lekësh dhe 10 shishe me pije alkoolike; më datë 12.01.2022, në lagjen nr. 1, Korçë, ku në dyqanin e shtetases Xh. K., janë vjedhur veshje të ndryshme, si edhe më datë 13.01.2022, në lagjen nr. 18, Korçë, ku në dyqanin e shtetasit M. M., janë vjedhur një sasi lekësh dhe rreth 20 kg fruta të thata.

Ndërsa specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të shtetasit A. F., 58 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 9, Korçë, ky shtetas u kap duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Top Channel