Gerildjon Sinani nga Berati është student në fakultetin e studimeve profesionale të universitetit të Durrësit.
Sot, rastësia e afroi më shumë me një dëshirë të hershme, të pashprehur më parë, për të qenë pjesë e forcave të armatosura, një ushtrie profesioniste me standarde të NATO-s që ofron siguri kombëtare dhe angazhim në misione të rëndësishme për paqen globale.
Gerildjon Sinani: “Është pasioni im. Dua të mësoj si përdoren armët dhe shumë gjëra të reja.”
Nuk ka mbushur ende 19 vjeç por është i bindur se çdokush që ka mbushur moshën duhet të kryejë shërbim ushtarak si dikur.
Gerildjon Sinani: “Ushtria të bëhet me detyrim. Kush? Gjithkush që mbush moshën 18 vjeç të bëjë një ose 2 vjet ushtri. Vete ushtar, merr edhe rrogë.”
Puna e sigurt dhe paga e mirë që ofron profesioni i ushtarakut nuk janë arsye kryesore për të. Për të profesioni duhet të jetë dhe pasion. Ai ndjehet i sigurt në aftësitë dhe studimet që ka zgjedhur, por angazhimin në ushtri e sheh si një mundësi për të çuar përpara dëshirat e tij dhe për të plotësuar më tej njeriun që do që të bëhet.
Gerildjon Sinani: “Njeriu duhet të ketë sa më shumë profesione. Asnjëherë nuk është keq. Një ushtarak i përgatitur, një teknik elektrik i përsosur, një muzikant. Shumë gjëra. Normale që jam ambicioz ndryshe nuk do të isha këtu.”
Muajin e ardhshëm, ai do t’i nënshtrohet një testimi në Tiranë dhe ai shpreson se do t’ia dalë.
Gerildjon Sinani: “Testimin e kam pak frikë, po me vullnet e dëshirë gjithçka arrihet.”
Top Channel