Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të shtunë ka deklaruar se anëtarët e Partisë Demokratike me datë 8 janar u sulmuan me urdhër të Beogradit. Një deklaratë të tillë, ish-kreu i kësaj force politike e bëri nga Lezha, në 31 vjetorin e krijimit të degës së PD-së.

Në fjalën e tij, Berisha tha se 8 janari është faqja më e zezë në 30 vitet e një qeverie shqiptare, duke theksuar se në këtë datë, Edi Rama faktoi se me mënyrat e tij kriminale, ishte autori i vërtetë i pushtimit të selisë së PD-së.

Nuk është problemi i një zyre, i një ndërtese. Këtu është problemi themelor: i zbatimit të vendimit të shumicës ndaj pakicës. Pa këtë parim nuk ka demokraci. Dhjetëra-mijëra demokratë shkuan për të zbatuar vendimin e tyre. Kuvendi Kombëtar ka votuar se selia e PD është ajo seli dhe ne shkuam të hymë në shtëpinë tonë”, tha ai.

Sipas tij, Edi Rama rrethoi Lulzim Bashën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë të Gardës, më në krye komandantin e rojës së personaliteteve, por kryeministri shqiptar e pajisi atë me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive.

Berisha tha se Basha e shndërroi selinë e PD-së në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët sipas tij vendin e kishin në qeli dhe jo aty.

Më 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, ai vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demokratëve paqësorë. E them këtë të Beogradit, sepse Baton Stanishiçi është Mugosha i ri në PS dhe në Shqipëri. Mugosha i ri, e ka marrë 6 herë në telefon Edi Ramën, pas urdhrave që i vinin nga Beogradi. Mbro Lul Bravën. Ai nuk e mohoi këtë kur ia përplasën përfaqësuesit tanë,” tha Berisha.

Kujtojmë se protesta e thirrur më 8 Janar nga ish-kryeministrin Sali Berisha, shkaktoi dëme të shumta në selinë e PD. Berisha ka njoftuar se protestat do të vijojnë deri në largimin e Bashës.

Top Channel