Berisha: Rama mbylli bastet në vend për t’ia kaluar Lulzim Bashës

15/01/2022 13:19

Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të shtunë ka ngritur një tjetër akuzë në lidhje me bashkëpunimin Rama-Basha, ku sipas tij qeveria shqiptare vendosi të mbyllë aktivitetin e lojërave të fatit për interesat personale të Lulzim Bashës. Ai theksoi se aktiviteti i basteve i kaloi një kompanie në Qipro që është  80% në pronësi të bashkëshortes së kreut të PD-së.

Kur ndodhi vrasja në ish-Bllok, Edi Rama ndalon bastet. Po të kujt ishin bastet? Bastet ishin të Lul Bravës. Ky i dërgon Dushanin në Prishtinë dhe Rama thotë se në Qipro 80% pronar i kompanisë ishte Lul Brava nën emrin e të shoqes“, tha Berisha.

Një deklaratë të tillë, ish-kryeministri e bëri sot paradite nga Lezha, ku së bashku me mbështetësit e tij nga ky qark, festoi 31-vjetorin e themelimit të PD-së së Lezhës.

Berisha, gjatë fjalës së tij u përqendrua në barazinë që kërkon t’i japë demokratëve mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Ai tha se Edi Rama dhe pengu i tij duan të mbajnë peng pluralizmin në vend.

Duke e konsideruar 8 janarin si faqja më e zezë në 30 vite e një qeverie shqiptare, Sali Berisha ripërsëriti deklaratën se urdhri për të ndërhyrë policia erdhi sipas tij nga Beogradi.

Edi Rama rrethoi Lulzim Bravën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë garde, me në krye komandantin e rojes së personaliteteve, por Edi Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive. Çfarë ndodhi? E shndërroi selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët vendin e kishin në qeli dhe vetëm në qeli. Çfarë ndodhi? Më 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, ai vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demokratëve paqësorë. E them këtë të Beogradit, sepse Baston Stanishiçi është Mugosha i ri në PS dhe në Shqipëri. Mugosha i ri, e ka marrë 6 herë në telefon Edi Ramën, pas urdhrave që i vinin nga Beogradi. Mbro Lul Bravën. Ai nuk e mohoi këtë kur ia përplasën përfaqësuesit tanë,” tha Berisha.

Në fund Berisha premtoi beteja shumë herë më të fuqishme se ajo e 8 janarit.

Top Channel