Autobus lëvizës për spektakle/ “Micro Folie”, afron të rinjtë dhe fëmijët me teknologjinë dhe artin

15/01/2022 00:44

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuruan qendrën “Micro Folie”, në kryeqytet, e cila synon të afrojë më shumë të rinjtë dhe fëmijët me teknologjinë dhe artin. Kryeministri tha se këtë vit duam t’ja dedikojmë fëmijëve.

“Kjo strukturë e cila vjen nga Franca ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në Francë duke ju krijuar mundësi të gjithë fëmijëve dhe më të rinjve që të mund të vizitojnë kryeveprat e artit botëror dhe kryeveprat e artit që gjenden në muzeumet e Francës”- tha Rama.

Rama zbuloi dhe një risi që pritet të realizohet këtë vit.

“Ne po punojmë që paralelisht me strukturat e “micro folive” të sjellim dhe një risi tjetër me Ministrinë e Kulturës, që është risia e një autobusi të madh lëvizës për spektakle në komunitete, një autobus i madh lëvizës që çon në komunitete operan, që çon në komunitete muzikën, teatrin, veprat, duke i bërë ato më të aksesueshme por dhe më të afërta me njerëzit në komunitet. Së shpejti do të sjellim autobusin e parë, por jo të vetmin”- u shpreh kryeministri.

Top Channel