Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi po dëshmon për protestën e 8 janarit, prokurorët presin dhe Lulzim Bashën

14/01/2022 12:44

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka mbërritur sot në orën 11:00 në prokurori, ku po dëshmon mbi protestën e demokratëve, që u zhvillua në 8 janar në selinë blu.

Bardhi po u përgjigjet pyetjeve të dy prokurorëve të çështjes, Elizabeta Imeraj dhe Elio Mazreku.

Në orën 12:00 ishte caktuar orari për kryedemokratin Lulzim Basha që t’u përgjigjet prokurorëve, por ende nuk ka konfirmim nëse ai do të paraqitet në prokurori.

Të shtunën, demokratët protestuan në PD, në një tubim që përfundoi me dhunë, ndërsa u shkatërruan disa objekte në seli. Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha u përplasën me mbështetësit e Lulzim Bashës. 35 prej tyre u arrestuan, por pas hetimeve u lanë të lirë, ndërsa për disa prej tyre është kërkuar ‘detyrim paraqitje’.

Dje, Berisha sërish akuzoi Lulzim Bashës, se për ditën e protestës, kishte zgjedhur mercenarë për të bunkerizuar PD.

“Të pranojë të qëndrojë i rrethuar me vrasës, trafikantë dhe bandë në një kohë që mbrohet nga garda, por edhe sikur të mos mbrohej, ti nga vrasës nëse do të qëndrosh në politikë s’mund ta bësh atë kurrë”, u shpreh Berisha. 

Si para prokurorëve edhe para medies nuk shpëtoi pa u shigjetuar edhe lideri i socialistëve Edi Rama, që Berisha përditë e më shumë e shikon si avokat të Bashës.

“Bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit të vendeve partnere ta hetojnë minimumi për larje parash sepse Rama ia mbylli dosjen e larjes së parave në Shqipëri”, tha Berisha më tej.

Berisha këmbëngul se në tubimin e së shtunë nuk pati dhunë dhe ishte një protestë paqësore.

Top Channel