Inflacioni i lartë po prek konsumin/ Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë efektet negative tek konsumi dhe kreditë

14/01/2022 19:19

Rritja e fortë e çmimeve po rëndon ndjeshëm qytetarët, veçanërisht ato me të ardhura të pakta.

Kjo ka bërë që inflacioni të kapërcejë objektivin e bankës së Shqipërisë 3% për të dytin muaj radhazi, duke kulmuar në dhjetor me 3.7% kryesisht prej shtrenjtimit të produkteve të shportës dhe karburantit.

Kjo normë e lartë inflacioni sipas ekspertit për ekonominë Enton Duro mund të shtojë edhe presionin për rritje të pagave, që dukshëm nuk shkojnë në të njëjtin trend me shtrenjtimin e çmimeve.

“Sado i kontrolluar të jetë inflacioni përsëri ka kosto, për atë fashë që jeton me të ardhura fikse dhe rritja e përshpejtuar e çmimeve prek mënyrën sesi ato rialokojnë shpenzimet. Është prekur shporta e konsumit. pasi kemi një paketë fiskale me lehtësi që hyjnë në fuqi në mes të vitit, por kjo mund të vijë edhe si rrjedhojë e situatës, në pritje të stabilizimit të saj”, tha Enton Duro, ekspert për ekonominë.

Në kushte të tilla, qeveria dhe banka qendrore vlerëson eksperti Enton Duro duhet të shtojnë vëmendjen në mbajtjen nën kontroll të inflacionit.

“Një inflacion 3.7% nuk është ende shumë i fortë edhe pse ka futur në një fashë risku instrumentat e politikës monetare, por besoj se ende BSH nuk duhet të marrë nisma aktuale për t’iu përgjigjur. Problemi është për hapat pasues nëse ato janë të mirëparashikuara. Një nga efektet negative që mund të sjellë ndërhyrja e politikës monetare në kontrollin e inflacionit janë tregjet e kredive ku shumë shpejt mund të sjellin efekte në rritjen e kredive problematike”, tha Duro.

Sipas projeksioneve të bankës së Shqipërisë kriza e çmimeve pritet të zgjasë përgjatë pjesës së parë të vitit, për t’iu kthyer më pas normalitetit, si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm, hapjes së ekonomisë pas pandemisë dhe rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet globale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA