Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit Ilir Meta ditën e sotme, ndërsa ky i fundit konfirmoi mbështetjen e tij për ish-kryeministrin Sali Berisha.

PD thotë se Meta me deklaratën e tij tregoi hapur rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të PD.

Sipas demokratëve, Berisha dhe Meta janë në një aleancë për të shkatërruar PD-në vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku të strehohen për halle personale.

Reagimi i plotë i Partisë Demokratike:

Qëndrimi i sotëm i Ilir Metës, ku nuk fshehu aleancën me Sali Berishën kundër Partisë Demokratike dhe rolin e tij aktiv në sulmin ndaj selisë qendrore të Partisë Demokratike, është e vërteta tronditëse që po kuptojnë dita-ditës demokratët.

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në një aleancë për të shkatërruar Partinë Demokratike, vetëm për faktin se ajo nuk bëhet bunker ku strehohen ata që kanë halle personale. Partia Demokratike ripërsërit kërkesën që Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.

Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.

Top Channel