Protesta e 8 janarit/ Basha: Autorët të vihen para drejtësisë! Berisha organizoi një tentativë vrasjeje mes demokratëve

14/01/2022 15:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të premten për dy orë e tridhjetë minuta është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me protestën e 8 janarit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në fjalën e tij para gazetarëve, Basha tha se autorët e dhunës së protestës duhet të vihen para drejtësisë, duke nënvizuar më tej se Sali Berisha për egoizmin dhe interesat e tij personale po shkatërron PD-në.

Ai theksoi se demokratët u thirrën për t’u përdorur si fasadë dhe vetëm një pjesë shumë e vogël iu përgjigj thirrjes së ish-kryeministrit Berisha, të cilët edhe ata u distancuan nga aktet e dhunës.

Egoizmi pa kufi i Sali Berishës po i shkakton shumë dëme PD-së për interesa të tij personale. Kërkoj zbardhjen e plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të organizatorëve dhe frymëzuesve të dhunës, e të jemi një orë e më parë në krye të betejës që ta çlirojmë Shqipërinë nga ky makth. Kohë e çmuar mediatike që duhet të vihej në dispozicion të të mirës publike, kjo prokurori duhet të vlonte nga të arrestuarit për afera korruptive. Me gjuhën e dhunës Sali Berisha është përpjekur që ta frenojë këtë. Demokratët ja kanë dalë që të tregojnë se nuk mund të bëhen pjesë e inskenimit të dhunës. PD mbetet një forcë politike e pjekur dhe e mençur. Kështu duhet ta shihni 8 janarin, jo si një ngjarje të izoluar, por si një pjesë e një grupi njerëzish që duan ta mbajnë për interesin tyre personal. Nga ana tjetër janë shqiptarët dhe demokratët që duan ndryshimin dhe jemi të vendosur që mos të lëshojmë pe. E sotmja si 8 janari kanë hyrë në historinë e demokratëve si ditë të dhimbshme”, u shpreh Basha.

Deklarata e kreut të PD-së pas daljes nga Prokuroria:

Pse e fortifikuat selinë e PD?

Lulzim Basha: Nuk preferoj të kaloj në metafora të tilla. PD ishte e përgatitur për çdo skenar e kishim një qëllim të shmangnim me çdo kusht atë që po kërkohej me çdo kusht, gjakderdhja më 8 janar.

A kërkuat hetim të zotit Berisha?

Lulzim Basha: Të gjithë secilit nga i pari te i fundit dhe vënien para drejtësisë nga Sali Berisha tek i fundit duke bërë diferencim mes organizatorëve urdhërues të dhunës që e gjithë bota i pa dhe atyre demokratëve që u distancuan dhe e kanë kuptuar sot që u përdorën si fasadë…që u përpoqën të nxisnin konfliktin deri në vëllavrasje mes demokratëve dhe nuk ia dolën.

Ka një interes nga ana e hetimit për çdo detaj të ngjarjes interesi im është që PD e demokratët të rikthehen sa më shpejt kundër qeverisjes larg akteve të dhunës e gjuhës së urrejtjes nga një person që vuri interesin personal para interesit të demokratëve.

A kërkuat të ketë hetim të personave konkret?

Lulzim Basha: Kërkova hetim të plotë e të gjithanshëm të kësaj ngjarje se për fat të keq s’ishte asgjë më pak se organizimi vetëdijshëm i planifikuar i një tentative vrasje mes demokratëve për interesa të ngushta personale me autor një grup të strukturuar kriminal… të një grushti personash me rekorde kriminale

Cila është vija juaj e kuqe a do keni një përballje për të larguar përfundimisht Sali Berishën?

Lulzim Basha: Vija e kuqe është kaluar prej kohësh, instrumenti i vetëm për ndryshim ishte 25 prilli ndaj duam një orë e më parë të kthehemi me gjithë energjinë në betejën e nisur për ti kthyer shqiptarëve demokracinë për një drejtësi që nuk mbron por ndëshkon politikanët e korruptuar që janë e vetmja mënyrë për t’i kthyer Shqipërinë shqiptarëve.

Marrja në pyetje e Bashës dhe Bardhit vjen një ditë pasi Sali Berisha dhe Flamur Noka dhanë deklarimet e tyre për protestën e 8 janarit. Pas daljes nga Prokuroria, Berisha deklaroi dje se kishte informuar hetuesit mbi atë që ai e quan banda e Lulzim Bashës brenda në seli.

Sipas tij ka pasur njerëz të armatosur në godinë atë ditë dhe armët u larguan me makinën e kreut të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri akuzoi sërish Bashën si peng të Ramës, teksa paralajmëroi edhe një herë protesta të fuqishme.

Ai nuk specifikoi datë për protestën e radhës, por ndërkohë deklaroi rikthimin e takimeve me qytetarët që do të nisin të dielën nga Shkodra.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pamjet filmike në të gjitha ambientet e selisë së PD-së e ndërsa Gjykata eTiranës ka liruar 34 të arrestuarit.

E shtuna e 8 janarit ishte një ngjarje dramatike për Partinë Demokratike, por edhe për imazhin e vendit. Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi po rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës.

Nga ana tjetër Sali Berisha shkoi sërish në selinë e PD, ndërsa i cilësoi ‘dhunuesit’ si heronj duke shtuar se ata ruajtën gjakftohtësinë dhe rrëzuan dyert e blinduara të ‘Lul Bravës’.

Top Channel