A konsiderohet Mohamed Salah si futbollisti më i madh afrikan?

14/01/2022 13:10

Kupa e Kombeve të Afrikës me superyjet e saj si Riyad Mahrez, Sadio Mane dhe Edourad Mendy do sjellë shumë emocione, por nuk ka asnjë dyshim që aktori kryesor i saj do të jetë: Mohamed Salah.

Aktualisht Salah ka 16 gola në Premier League, 6 më shumë se konkurrenti i tij më i afërt, ndërsa vetëm Sebastian Haller dhe Robert Lewandowski kanë më shumë gola në Champions League. Egjiptiani ka 9 asistime në Premier League në këtë sezon, duke ndarë vendin e parë me shokun e skuadrës Trent Alexander-Arnold dhe ndoshta më mbresëlënëse është se ai ka shënuar 20 ose më shumë gola në pesë sezonet e fundit.

Salah është futbollisti kryesor i Liverpool-it, por vlera që ka për kombin e tij është edhe më e çmuar. Prezantuesja e televizionit egjiptian Shima Saber tha për Football Now se “ai është padyshim një rast unik. Ai është djali ynë dhe një model i shkëlqyer që ka punuar aq shumë për të arritur qëllimet e tij. Ne jemi jashtëzakonisht krenarë që kemi një shembull të tillë. Ai është modeli perfekt për çdo të ri në vendin tonë”.

Futbolli në Afrikë

Sporti nisi në Afrikë në fund të shekullit 19-të. Më pak se një shekull më vonë, Konfederata e Futbollit Afrikan, e njohur si KAF u themelua nga Sudani, Egjipti, Afrika e Jugut dhe Etiopia. Kështu dhe u organizua edhe kampionati i Kupës së Kombeve Afrikane. Një sondazh i Sportsmarkt i vitit 2011, tregoi se 72% e qytetarëve të vendeve afrikane ishin të interesuar për futbollin.

Lojtarët e mëdhenj afrikanë

Kur fjala bie për lojtarët afrikanë, një nga më të mëdhenjtë konsiderohet Salah. Një tjetër konsiderohet George Weah, i cili ka qenë një sukses i madh si brenda dhe jashtë fushës. Përveç se ka fituar Topin e Artë, tani është edhe president i Liberisë. Roger Milla i hapi sytë botës për talentin e tij të jashtëzakonshëm kur 38-vjeçari udhëhoqi Kamerunin në Kupën e Botës së vitit 1990. Didier Drogba dhe Samuel Eto’o shënuan më shumë se 600 gola, fituan dhe kompeticionin më të madh evropian, Ligën e Kampionëve.

Samuel Eto’o djathtas

Gazetari Fiso Mazibuko, beson se Samuel Eto’o është futbollisti më i madh i Afrikës.

Në kohën time, duke u rritur dhe duke parë futboll, nuk mendoj se ka një lojtar që mishëron përsosmërinë afrikane në një fushë futbolli si Samuel Eto’o. Ai është golashënuesi më i mirë aktual në historinë e Kupës së Kombeve të Afrikës”.

Ndryshe mendon ish-mbrojtësi i Premier League, Chris Samba, i cili thekson se Mohamed Salah e ka fituar tani pozicionin e tij në debatin se kush është lojtari më i mirë afrikan i të gjithë kohërave, por sipas tij, është ende herët të flitet për këtë, pasi Salah është vetëm 29 vjeç dhe është në kulmin e karrierës së tij.

Mohamed Salah, sigurisht që do të ketë një tjetër mundësi në javët në vijim për të shtuar një tjetër trofe në koleksionin e tij personal me kombëtaren egjiptiane. Dhe, duke qenë se është viti i Kupës së Botës, ndoshta 2022, do të jetë me të vërtetë viti ku sulmuesi i Liverpool do bëjë një hap gjigant drejt vendosjes së titullit, si futbollisti më i madh i të gjithë kohërave në Afrikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA