“Persona me kapuç dhe të armatosur”, Braho: Një shoqëri pa opozitë kthehet në diktaturë

12/01/2022 11:16

Ish-deputeti, njëkohësisht edhe mbështetësi i Sali Berishës, Spartak Braho tha për emisionin “Breaking” në Top News se gjatë protestës, brenda selisë së PD-së kishte persona me kapuç dhe të armatosur.

Sipas tij, protestuesit nuk kanë bërë asnjë faj, vetëm se kanë kërkuar të hyjnë në shtëpinë e tyre.

“Njerëz të mbuluar me kapuç hidhnin gaz mbi protestuesit. Uroj të ketë realizëm nga ana e gjyqtarit dhe t’i lirojë të gjithë se janë të pafajshëm. Edhe detyrim paraqitje është shumë se nuk kanë bërë asgjë veç se të hynin në shtëpinë e tyre. Po përpiqemi të krahasojmë të pakrahasueshmet. Aty kishte njerëz të armatosur. Këtu bëhet fjalë për një çështje thelbësore, do kemi një opozitë reale apo me patericë si ajo e Bashës. Një shoqëri pa opozitë kthehet në diktaturë. Nuk kanë vend krahasimet e tilla, të akuzohen njerëz që kërkojnë pluralizëm në Shqipëri”, sipas Brahos.

Sot pritet të jepen masat e sigurisë për 34 të arrestuarit e protestës së dhunshme të 8 janarit e zhvilluar para selisë së PD-së.

Ndërsa në sallën e gjyqit për të ndjekur dhe seancën ka shkuar edhe Albana Vokshi, Klevis Balliu dhe Oerd Bylykbashi.

Burime për gazetaren, Anila Hoxha thanë se nga 34 të arrestuar, prokuroria kërkon për 29 persona masën “Detyrim paraqitje”, ndërsa për 5 persona “Arrest shtëpie”.

Top Channel