PD, publikon videon: Asnjë kriminel i thirrur nga Berisha nuk ia doli të shkatërrojë selinë

12/01/2022 17:31

Një video e publikuar nga Partia Demokratike të mërkurën pasdite sjell edhe njëherë në kujtesë protestën e 8 janarit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha me qëllim nxjerrjen jashtë godinës Lulzim Bashën, së bashku me drejtuesit e tjerë të partisë.

Në një reagim për mediat, PD thekson se asnjë kriminel i thirrur nga Sali Berisha për të shkatërruar Partinë Demokratike nuk ia doli dhe nuk do t’ia dalë.

Selia e kësaj partie nuk u kthye në bunker për hallin personal të Sali Berishës, pasi demokratët refuzuan dhunën dhe gjuhën  e urrejtjes”, deklaron PD.

Sipas saj, demokratët zgjodhën me vendosmëri të jenë në shërbim të shqiptarëve, jo të një personi që nuk e lidh më asgjë me Partinë Demokratike.

Përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha sulmuan dhe dëmtuan rëndë selinë e Partisë Demokratike. Protesta e thirrur kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, u bë menjëherë e dhunshme, ndaj edhe pati disa plagosje dhe arrestime.

Megjithë rezistencën e personave nga brenda godinës, protestuesit depërtuan në brendësi të saj, pasi shkatërruan për disa orë sulmi me pajisje hekurthyese dyert e mbyllura me elemente metalikë.

Diplomatët amerikanë, europianë dhe OSBE dënuan dhunën dhe u kërkuan organizatorëve të ulin tensionet e protestës, e cila u shpërnda nga policia.

 

Top Channel