E drejta e votës në SHBA, Biden kërkon miratimin e dy ligjeve të reja

12/01/2022 11:55

Presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris vizituan të martën shtetin jugor të Xhorxhias për të promovuar projektpropozimin për të drejtën e votës, që do të zgjeronte thellësisht fushëveprimin e qeverisë federale mbi zgjedhjet, por që ka ngecur në Senat.

Presidenti Biden mbrojti të drejtën për të votuar në zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta, të panjollosura nga manipulimet partiake, ndërsa u shpreh se mënyra për t’i garantuar këto të drejta është miratimi i dy projekt/propozimeve të paraqitura nga demokratët.

Ditët në vijim, kur këto projektligje të hidhen për votim, do të shënojnë një pikë kthese në këtë vend”, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Përmes një shkrimi në rrjetin Twitter Presidenti Biden tha më pas se, “historia nuk është treguar kurrë e mirë ndaj atyre që kanë mbështetur shtypjen e votuesve përballë të drejtës së votës. Dhe nuk do të tregohet e mirë ndaj atyre që dështojnë të mbrojnë të drejtën e votës”.

Por republikanët në Kongres i kanë kundërshtuar tërësisht masat, duke thënë se secili nga 50 shtetet amerikane duhet të vazhdojë të vendosë rregullat e veta, duke përfshirë orarin e votimit, afatin kohor të votimit të parakohshëm para votimit tradicional të nëntorit dhe se në çfarë mase lejohet votimi me postë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, demokrati Biden mundi ish-Presidentin Donald Trump pas një mandati të vetëm në Shtëpinë e Bardhë. Biden fitoi disa shtete ku u zgjat me disa ditë harku kohor i votimit dhe oraret, u zgjerua votimi me postë për kufizuar nevojën e votuesve që ditën e zgjedhjeve të shkonin nëpër qendrat e votimit të mbushura me njerëz gjatë pandemisë.Demokratët, përmes legjislacionit të mbështetur nga Presidenti Biden, duan që shumë nga ato ndryshime të bëhen të përhershme, përfshirë zgjedhjet e nëntorit të këtij viti, ku votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një të tretën e Senatit.

Legjislatura të shumta në shtetet e kontrolluara nga republikanët kufizuan vitin e kaluar shumë nga ndryshimet e miratuara për zgjedhjet e vitit 2020 nga frika se demokratët do të fitonin një avantazh të përhershëm elektoral nëse rregullat liheshin në fuqi. Kryetari i shumicës demokrate ne Senat, Chuck Schummer, ka caktuar 17 janarin, ditën kur Shtetet e Bashkuara nderojnë Martin Luther Kingun, si afat për të miratuar ligjin për votimin, ose përndryshe do të kërkojë rishqyrtimin e rregullave të votimit në Senat.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA