Bllokimet për shkak të COVID-it në Kinë po e çojnë tregtinë globale në krizë

12/01/2022 13:48

Vendimi i qeverisë kineze për të vendosur qytete të tëra në izolim pas zbulimit të disa dhjetëra rasteve me koronavirus ka përkeqësuar një nga krizat më të mëdha që u shfaq në vitin 2021: atë të tregtisë globale, ose më saktë “zinxhirin e furnizimit”.

Bllokimet, të cilat po prekin qytete me miliona njerëz, kanë shkaktuar tashmë mbylljen ose ngadalësimin e prodhimit të kompanive ndërkombëtare që kanë fabrikat në Kinë, duke u krijuar kështu vonesa në transportin detar, mbi të cilin bazohet pjesa më e madhe e tregtisë globale.

Deri më tani, kriza e “zinxhirit të furnizimit”, kryesisht për shkak të mungesës së mallrave të prodhuara në Kinë, si mikroçipet në sektorin e elektronikës, ka shkaktuar një rritje të përgjithshme të çmimeve, duke e çuar inflacionin në nivele rekord.

Ditët e fundit, për shembull, kompania japoneze Toyota dhe ajo gjermane Volkswagen, janë detyruar të ndalojnë prodhimin në uzinat e tyre në Tianjin, një qytet i madh rreth 100 kilometra larg Pekinit, me një port i cili i kalon rreth 1.7 për qind të eksporteve kineze.

Vendimi i dy kompanive të makinave u mor pasi ditën e dielë në qytet u vendos të kryehej një test masiv për rreth 15 milionë banorë.

Ndryshe nga qytetet e tjera të mëdha, Tianjin nuk u izolua, por testi masiv u vendos pas shpërthimit të dy rasteve me koronavirus në një shkollë. Po ashtu, si pasojë e zbulimit të disa rasteve me Omicron, Volkswagen ka ndaluar prodhimin edhe në një tjetër fabrikë, në Ningbo, në provincën e Zhejiang.

Samsung i Koresë së Jugut dhe Micron i SHBA-së, dy nga kompanitë më të rëndësishme në botë që prodhojnë mikroçipe, kanë probleme në fabrikat e tyre në Xi’an. Bllokimi i vendosur në qytet në fakt i ka penguar njerëzit të shkojnë në punë dhe për këtë arsye të dy kompanitë kanë pasur ngadalësim të prodhimit, pavarësisht se nuk është ndaluar komplet puna për momentin.

Në Ningbo produktet e Grupit Ndërkombëtar Shenzhou, i cili furnizon materiale për kompanitë e mëdha të veshjeve si Nike, Adidas dhe Uniqlo, u mbyllën për disa ditë. Puna mund të ndërpritet edhe në fabrikat e Foxconn, kompania e madhe kineze që prodhon telefona inteligjent dhe pajisje të tjera në emër të kompanive si Apple, Samsung dhe Microsoft.

Një nga fabrikat më të rëndësishme është në Zhengzhou, kryeqyteti i Henanit, ku janë zbuluar 103 raste pozitive. Edhe këtu, si në Tianjin, nuk është vendosur asnjë bllokim i përgjithshëm, por vetëm disa kufizime dhe një test masiv për 10 milionë banorë.

Pastaj ekziston një problem tjetër që mund të përkeqësojë situatën në javët në vijim dhe që ka të bëjë me sistemin e eksporteve.

Tashmë si pasojë e kufizimeve, disa porte të rëndësishme si Ningbo po përballen me vonesa për dërgimin e mallrave dhe gjendja mund të përkeqësohet akoma edhe më shumë më datë 1 shkurt, Viti i Ri Kinez, ku pjesa më e madhe e fabrikave mbyllen për gati një javë. Përveç ngadalësimit të prodhimit, mbyllja e fabrikave mund të shkaktojë një bllokim tjetër të porteve që duhet të dërgojnë kontejnerë më produkte kineze në pjesën tjetër të botës.

Sipas Frederic Neumann, i cili merret me analizat ekonomike në tregun aziatik për bankën HSBC, krahasuar me muajt e kaluar, varianti Omicron mund të përkeqësojë krizën e “zinxhirit të furnizimit”, duke qenë se në këto dy vite pandemie qendra e tregtisë është Kina. Pandemia zbuloi se konsumi në vendet perëndimore varet nga prodhimi kinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA