Rritja ekonomike në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore parashikohet të ngadalësohet në 3 për qind në vitin 2022 pasi politika më të rrepta makroekonomike dhe shpërthimet e përsëritura të COVID-19, përfshirë dhe atë të Omicron, rëndojnë mbi kërkesën konsumatore, thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale.
Sipas këtij raporti, rritja ekonomike për Shqipërinë në 2022 parashikohet të jetë 3.8 për qind.
“Ekonomia botërore po përballet njëkohësisht me COVID-19, inflacionin dhe pasigurinë e politikave, me shpenzimet e qeverive dhe politikat monetare në territore të paeksploruara. Rritja e pabarazisë dhe sfidave të sigurisë janë veçanërisht të dëmshme për vendet në zhvillim. Vendosja e më shumë vendeve në një rrugë të favorshme rritjeje kërkon veprim të bashkërenduar ndërkombëtar dhe një seri gjithëpërfshirëse politikash kombëtare”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.
Për vitin 2021 rritja në vend vlerësohet të ketë qenë 7.2%, ose 2.8 pikë për qind më e lartë sesa parashikimi i qershorit 2021. Nga vendet e rajonit, Shqipëria kishte në 2021 rritjen e dytë më të lartë pas Malit të Zi (me 10.8%, por ky shtet shënoi dhe rënien më të lartë në 2020), e ndjekur nga Kosova (7.1), Serbia me 6%, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e veriut me nga 4%.
Në krahasim me parashikimin e qershorit, për vitin 2022, pritshmëria për ekonominë shqiptare është rishikuar lehtë me 0.1 pikë përqindje më shumë.
Sipas raportit, rritja në afatin e mesëm e Shqipërisë, dhe Maqedonisë së Veriut mund të nxitet nga përshpejtimi i reformave strukturore në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke marrë parasysh që ky proces nuk shtyhet më tej.
Raporti thekson se bota po hyn në vitin e tretë të pandemisë dhe pavarësisht rritjes është e rrethuar me shumë rreziqe dhe pasiguri. Tre rreziqet kryesore me të cilat po përballen vendet në zhvillim, sipas bankës Botërore janë:
-Zhbalancimet makroekonomike, që kanë ardhur si rrjedhojë e rritjes së borxhit qeveritar .
-Bota po përballet me rritje të pabarazive, teksa Covid-19 bëri që të shënoheshin hapa pas në progresin për uljen e varfërisë.
-Rritja e pasigurive, pas shfaqjes së variantit Omicron që tregon se pandemia nuk ka mbaruar. Variantet e reja mund të vënë në rrezik edhe vendet që kanë nivele të larta vaksinimi, ndërsa mund të rrezikojë më shumë ato me nivel të ulët.
Inflacioni është një shqetësim tjetër që mund të ndikojë në furnizimin me ushqime, sidomos në vendet që janë në konflikte.
Banka thotë se është e qartë do të përballemi me kohëra sfiduese për ekonominë globale – dhe veçanërisht për vendet në zhvillim -teksa stimujt ekonomikë po ngadalësohen dhe kushtet e kreditimit po shtrëngohen./Monitor
Top Channel