Trupat kazake “keqpërdorin” helmetat e OKB-së

11/01/2022 13:48

Fotografitë e ushtarëve në Almati, të veshur me helmeta paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, kanë shkaktuar konfuzion, por edhe reagim nga OKB-ja.

Imazhet e publikuara nga Associated Press (AP) më 8 janar kanë treguar disa ushtarë në qytetin më të madh të Kazakistanit, Almati, të veshur me helmeta kaltër e bardh, me mbishkrimin “UN” [Kombet e Bashkuara].

Fotografitë e bëra nga fotografi Vladimir Tretyakov dhe të shpërndara nga gazetari i pavarur, Jake Hanrahan, kanë shtuar konfuzionin se çfarë saktësisht po ndodh në vendin e trazuar të Azisë Qendrore.

Protestat në Kazakistan kanë shpërthyer javën e kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Që atëherë, ndërprerjet e internetit, personat e armatosur të paidentifikuar dhe pretendimet e kontestueshme të zyrtarëve i kanë bërë ngjarjet në terren edhe më të turbullta.

Një zëdhënës i paqeruajtësve të OKB-së ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë më 10 janar se njerëzit e armatosur, të parë në imazhet e shpërndara nga AP-ja, nuk janë pjesë e misionit paqeruajtës të OKB-së.

“Ne ia kemi përcjellë shqetësimin tonë për këtë çështje Misionit të Përhershëm në Kazakistan”, ka thënë ai përmes e-mailit.

Sipas tij, vendet kontribuuese me trupa dhe policë në OKB “i përdorin shenjat e OKB-së vetëm kur janë duke i kryer detyrat e tyre të mandatuara si paqeruajtës të OKB-së”.

Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes në Almati ka folur më 10 janar për Radion Evropa e Lirë, duke i identifikuar ushtarët me helmeta blu si “pjesë e batalionit KAZBAT, të lidhur me OKB-në”.

Por, më pas, ai ka thënë se ata nuk janë pjesë e ndonjë misioni të OKB-së dhe se mision i tyre është “ruajtja e objekteve strategjike, aeroporteve dhe ndërtesave qeveritare”.

“Ju mund të keni parë në internet që KAZBAT ka qenë në Libi. Janë trupat tona paqeruajtëse”, ka thënë ai.

Eric David, ekspert i së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe operacioneve paqeruajtëse pranë Universitetit të Lirë të Brukselit, thotë se imazhet në Almati duket se tregojnë “një keqpërdorim të rëndë nga autoritetet e trupave që i kanë veshur ato helmeta”.

David thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse ata që qëndrojnë pas përdorimit të helmetave blu, janë zyrtarë kazakë, “kjo bën që Kazakistani të ketë përgjegjësi ndërkombëtare”.

Çdo përdorim i paautorizuar i uniformave të Kombeve të Bashkuara, që rezulton me vdekje ose lëndim të rëndë, përbën krim lufte në konfliktet ndërkombëtare.

Por, David thotë se pavarësisht pranisë së trupave të huaja në këtë vend, dhuna aktuale në Kazakistan me siguri se do të klasifikohet si konflikt i brendshëm dhe jo ndërkombëtar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Prandaj, beson David, përdorimi i helmetave blu në Kazakistan është “i paligjshëm, por jo krim lufte”.

Ai thotë se nuk e ka as “idenë më të vogël” se përse helmetat blu mund të jenë përdorur në Almati.

Sipas tij, është e mundur që thirrja për mobilizim masiv nga ushtria mund të ketë rezultuar me mungesë të pajisjeve, ose, shton ai, mund të bëhet fjalë për një përpjekje të qëllimshme “për të krijuar përshtypjen se trupat e vërteta të OKB-së janë me Qeverinë kazake”.

Për të shtuar edhe më shumë konfuzionin për helmetat blu në Almati, disa fotografi dhe video janë shfaqur në mediat shtetërore bjelloruse më 9 janar, duke i treguar trupat bjelloruse me disa stema në krahë, që, sipas disave, janë simbole të heshtura të Kombeve të Bashkuara.

Bjellorusia dhe vendet e tjera të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive – një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia – kanë dërguar kontingjente në Kazakistan, pasi presidenti Qasym-Zhomart Toqaev ka kërkuar ndihmën e bllokut për të qetësuar trazirat në vendin e tij.

Shenja, në fakt, i përket “Miratvorchaya Rota”-s së Bjellorusisë, që në përkthim do të thotë “kompani paqeruajtëse”. Ikona është pothuajse identike me vetë dizajnin e Kombeve të Bashkuara.

Njësia paqeruajtëse bjelloruse ka shërbyer gjithashtu në Liban.

Deri në publikimin e këtij artikulli, OKB-ja nuk i ka dhënë përgjigje Radios Evropa e Lirë se cilat rregulla zbatohen për përdorimin e shenjave të Kombeve të Bashkuara në uniformat ushtarake./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA