Partia Demokratike ka hartuar një raport të detajuar pas protestës së tetë janarit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, të cilin ua ka dërguar abasadave të huaja në vendin tonë dhe Komisionit Evropian.

Në raportin 8-të faqesh përshkruhet me hollësi, orë pas ore, gjithçka çfarë ndodhi si para dhe brenda godinës së PD-së përgjatë orëve të dhunshme të protestës.

Bashkëlidhur raportit ka edhe foto ku shfaqen militantë me vare dhe çekiç në duar.

Përgjegjës kryesor dhe udhëzues për dhunën, PD-ja bën përgjegjës Sali Berishën.

Në raport nënvizohet se vetëm një orë para nisjes zyrtare të protestës së thirrur nga Berisha, disa prej mbështetësve të tij kanë sulmuar fizikisht dhe verbalisht sekretarin e PD-së për Zhvillimin Vendor, Roland Bejko, në prani të mediave dhe kamerave.

“Nënkryetari i PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj, ishte vënë nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare, pasi u sulmua dhe u kërcënua me jetë nga persona të mbledhur në protestën e thirrur nga Berisha”, thuhet në raport.

Gjithashtu flitet për hetimin nga ana e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë në selinë blu.

Pas mbylljes së konferencës për shtyp nga Basha dhe kur përfaqësuesit e PD-së nisën të largoheshin nga selia e partisë, oficerët e policisë iniciuan sërish ndalimin dhe shoqërimin e tyre në komisariat”.

Po ashtu, raporti thekson se “ndër personat e ndaluar nga policia nuk kanë qenë vetëm përfaqësues të PD-së, deputetë, por edhe media e gazetarë. Reagimi i menjëhershëm ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm, Bardhi, i cili e dënoi këtë lëvizje të policisë dhe kërkoi shpjegime se pse përfaqësuesit e PD-së u morën për herë të dytë në pyetje, ndërkohë që kishin dëshmuar njëherë”.

Në raport nuk mungojnë as reagimet e ndërkombëtarëve, që dënuan dhunën në protestë, si dhe pasqyrimin e saj në mediat ndërkombëtare.

Kryesia e Partisë Demokratike ka reaguar me dorë të hekurt ndaj ngjarjeve të 8 janarit, kur selia e saj u sulmua nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke shkatërruar dhunshëm një pjesë të mjediseve të saj. Në mbledhjen e të hënës që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, Kryesia vendosi që ish-kryetari i Partisë Demokratike, njeriu që ishte ndër themeluesit e saj dhe që e drejtoi këtë forcë politike deri në vitin 2013, Sali Berisha, nuk do të jetë më as anëtar i PD-së.

Masa ndëshkuese janë marrë ndaj të 28 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit të PD, strukturë e ngritur nga Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor nga Berisha, për të drejtuar partinë deri në zgjedhjet e reja, por që nuk njihet nga kryetari Lulzim Basha dhe institucionet e kësaj partie.

Përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi.

Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti. Në total, janë të paktën 10 deputetë, të cilët nuk konsiderohen më përfaqësues të kësaj force politike.

Në fakt, vendimi nuk duket të jetë ndonjë surprizë, nëse marret parasysh fakti se që mbrëmjen e 8 janarit kryetari i kësaj partie Lulzim Basha deklaroi se ajo çfarë kishte ndodhur kishte shënuar “ndarjen përfundimtare me ish-kryeministrin Berisha”.

Disa prej deputetëve të përjashtuar ose të pezulluar kanë reaguar në rrjetet sociale duke folur për një vendim të pavlefshëm, duke vlerësuar se sipas tyre Lulzim Basha dhe institucionet aktuale të kësaj partie nuk janë funksionale, pasi janë rrëzuar nga Kuvendi i mbajtur prej tyre në 11 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA