Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka pritur sot në një takim presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka dhe përfaqësues të tjerë të klubeve sportive për të diskutuar një sërë çështjesh në lidhje me sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti, ndër të cilat një vëmendje të veçantë patën propozimet e tyre për Ligjin e Sponsorizimeve.
Ministrja Kushi gjatë këtij takimi ka shprehur vullnetin dhe angazhimin e ministrisë për më shumë politika në zhvillim të sportit, si dhe bashkëpunim e mbështetje të vazhdueshme për të gjitha federatat shqiptare.
Të pranishëm në këtë takim ishin Edvin Libohova, President i Ligës Profesioniste, Edmond Hasanbelli, President i KF Teuta, Alban Xhaferri, President i KF Vllaznia dhe Aldi Topçiu, Drejtor i Departamentit Ligjor në FSHF.
Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka prioritet Ligjin e Sponsorizimeve dhe për hartimin e tij do të bashkëpunojë me subjektet e interesuara të përfshira, federatat dhe FSHF, duke mirëpritur sugjerimet e tyre.
Top Channel