Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka liruar nga burgu autorin e dyshuar të vrasjes së ish-deputetit Pashko Ujka, shtetasin Kristjan Kelmendi dhe bashkëpunëtorin e dyshuar të tij shtetasin Marjan Kola.
Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për këta dy shtetas.
Gjykata ka administruar një provë të re, pikërisht një video ku përmes të cilës pretendohet se autori i dyshuar i vrasjes së ish-deputetit dhe bashkëpunëtori i dyshuar ditën e ngjarjes kanë qenë në Kosovë.
Pas kësaj video që është marrë si provë gjykata vendosi t’i lirojë duke lehtësuar masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Përveç kësaj videoje Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër është në pritje edhe të disa provave të tjera të këtyre dy shtetasve që mund të jenë sërish video por edhe fatura të ndryshme të blerjeve apo prova të tjera që mund të faktojnë se dy të dyshuarit kanë qenë në Kosovë ditën kur u vra ish deputeti Pashko Ujka.
Në seancën për masën e sigurisë më 4 dhjetor autori i dyshuar Kristjan Kelmendi dhe shtetasi tjetër Marjan Kola kanë mohuar përpara gjykatës autorësinë e vrasjes duke thënë se ata kanë qenë në Kosovë. Një muaj kohë u la për administrimin e provave.
Top Channel