Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka pezulluar aktivitetin e kompanisë së prodhimit dhe nxjerrjes së naftës “Bankers Petrolium”.
Kjo masë sipas njoftimit zyrtar të Inspektoratit ka ardhur pas konstatimit të disa shkeljeve të evidentuara në këtë subjekt gjatë kontrolleve të ushtruara në zbatim të mbrojtjes së mjedisit.
Sipas Inpektoratit, kompania ka shkelur ligjin duke mos larguar mbetjet e rrezikshme e si rrjedhojë ka shkaktuar kontaminim të zonës ku operon, pranë fushës më të madhe naftëmbajtëse në Patos –Marinëz në Fier.
Veç pezullimit të aktivitetit për një afat të pacaktuar, Inspektorati ndër të tjera për këto shkelje ka ndëshkuar kompaninë edhe me gjobë prej 2 milionë lekë.
Më herët në një takim të zhvilluar me kryebashkiakët e vendit një vit më parë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndërhyrje nga të gjitha autoritetet përgjegjëse për normalizimin e situatës me mbetjet në të gjithë territorin, duke paralajmëruar edhe ndjekje penale ndaj individëve apo subjekteve që shkelin ligjin.
Në këtë kuadër, kreu i qeverisë ka njoftuar se lufta ndaj keqmenaxhimit të mbetjeve do të intensifikohet dhe prej prillit të vitit 2022 i gjithë territori i vendit do të monitorohet nga satelitët për të evidentuar çdo pikë të paligjshme të grumbullimit të inerteve apo shkeljeve të tjera mjedisore.
Top Channel