Presidenti Vladimir Putin është shprehur të hënën se forcat ushtarake të Rusisë dhe aleatëve të saj të dërguara në Kazakistan në mbështetje të autoriteteve, sipas të cilit po kërcënohen nga “terrorizmi ndërkombëtar”, do të largohen nga vendi sapo të përfundojë misioni i tyre.
“Sapo kontigjenti ushtarak të përmbushë misionin e tij, do të tërhiqet nga territori i Kazakistanit”, tha Putin gjatë një video-konference me aleatët e tij, duke përfshirë edhe Presidentin e Kazakistanit.
Të udhëhequr nga Rusia, rreth 2030 trupa nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) u vendosën në Kazakistan me kërkesë të liderit kazak.
Presidenti rus tha se fqinji dhe aleati i tij kishte rënë viktimë e “agresionit të terrorizmit ndërkombëtar”.
Ai theksoi se këto “banda të armatosura”, me përvojë luftarake janë trajnuar në disa kampe ushtarake jashtë vendit.
Putin paralajmëroi se Moska nuk do të tolerojë “revolucione me ngjyra” në hapësirën post-sovjetike.
“Ne e kuptojmë se ngjarjet në Kazakistan nuk janë përpjekja e parë dhe as e fundit për të ndërhyrë nga jashtë në punët e brendshme të vendeve tona. Ne nuk do të lejojmë që situata të lëkundet dhe nuk do të lejojmë që të realizohen skenarët e të ashtuquajturave revolucione me ngjyra”, tha ai.
Protestat e nxitura nga rritja e çmimeve të karburantit filluan një javë më parë në perëndim të Kazakistanit, përpara se të shndërroheshin në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë.
Në Almaty, qyteti më i madh i vendit, protestat kaluan në trazira dhe përleshje ku u dogjën dhjetëra ndërtesa dhe biznese.
Mbi 164 persona kanë humbur jetën dhe mbi 2.200 qytetarë janë plagosur si pasojë e këtyre protestave.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi të dielën urdhrin e presidentit kazak për të qëlluar në drejtim të protestueseve. Këto komente sekretari Blinken i bëri për CNN.
“Nëse kjo është politika kombëtare, [Unë] e dënoj atë politikë,” tha Blinken.
“Autoritetet në Kazakistan duhet të jenë në gjendje të merren me sfidat me të cilat po përballen në mënyrë paqësore, për t’u siguruar që po mbrohen të drejtat e atyre që po protestojnë në mënyrë paqësore”, tha sekretari Bliken.
Deri më tani, pothuajse 6,000 njerëz janë arrestuar, duke përfshirë shumë të huaj, sipas zyrës së presidentit të Kazakistanit.
Top Channel