Europoli urdhërohet të fshijë të dhënat që nuk lidhen me krime

10/01/2022 21:27

Agjencia e Bashkimit Evropian për krim (Europol) është urdhëruar nga një institucion i BE-së për mbrojtjen e të dhënave, që të fshijë informacionet e lidhura me personat që dëshmohet se nuk kanë lidhje me krime.

Mbikëqyrësi evropian për Mbrojtjen e të Dhënave tha më 10 janar se Europol është njoftuar me këtë vendim më 3 janar, pas një hetimi që kishte nisur në vitin 2019.

Si pjesë e këtij hetimi, ky mbikëqyrës e kishte qortuar Europolin dy vjet më parë “për ruajtjen e vazhdueshme” të të dhënave të shumta “që përbëjnë rrezik për të drejtat themelore të individëve”.

Po ashtu u tha se Europoli që atëherë ka ndërmarrë disa masa, por nuk ka plotësuar kërkesën që të vendosë një afat të përshtatshëm kohor për ruajtjen e të dhënave.

“Kjo nënkupton që Europoli po i mbante këto të dhëna më gjatë sesa ishte e nevojshme”, tha Mbikëqyrësi evropian për Mbrojtjen e të Dhënave.

Ky institucion tha se vendosi një periudhë gjashtëmujore për vlerësimin e grupeve të reja të të dhënave për të përcaktuar nëse ato të dhëna duhet të ruhen.

“Një periudhë gjashtëmujore për analiza paraprake dhe filtrimin e grupeve të mëdha të të dhënave do t’i mundësonte Europolit që të përmbushë kërkesat operacioneve të shteteve anëtare të BE-së që mbështeten në ndihmën teknike dhe analitike nga Europoli, duke minimizuar rreziqet për të drejtat dhe liritë e njerëzve”, tha Wojciech Wiewiorowski, mbikëqyrës në institucionin për mbrojtjen e të dhënave.

Mbikëqyrësi evropian për Mbrojtjen e të Dhënave nuk tregoi se sa të dhëna aktualisht ruhen nga Europoli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA