Novak Gjokoviçi (Djokovic) e përjetoi nga afër mizorinë e politikave kufitare të Australisë.
Atij i dhanë një vizë dhe u inkurajua të fluturonte, pavarësisht skepticizmit të tij të dukshëm për vaksinat. Një taktikë keqdashëse e ndjelljes së zogut, sepse me mbërritjen e tij, dera u mbyll papritur nga Australia.
Ndoshta përgjegjësit e nuhatën se duke bllokuar hyrjen e tij në minutën e fundit mund të shënonin një fitore të dyfishtë.
Shumë australianë e shohin praninë e Gjokoviçit të pavaksinuar si një fyerje për përpjekjet stoike të njerëzve të Melburnit, të cilët kanë kaluar disa muaj rresht në izolim dhe janë vaksinuar masivisht, madje edhe ata që hezituan. Bllokimi i hyrjes së tij mund të gjente vetëm miratim.
Ky vendim mund të ishte marrë shumë përpara nisjes së tij. Por ndryshimi i minutës së fundit lejoi këtu një fitore të dytë politike: ai prodhoi një krize kufitare në miniaturë dhe shkaktoi mrekullinë e shkëputjes së vëmendjes nga keqmenaxhimi i vazhdueshëm i pandemisë nga qeveria.
Një strategji mizore e përdorur gjerësisht
Është një fitore e lehtë e dyfishtë. Dhe kjo është një strategji e mirëpërpunuar për Australinë, e cila nxjerr kapital politik nga mizoritë të shkaktuar në kufirin e saj.
Për dekada, politikanët australianë të të gjitha shtresave kanë shfrytëzuar kontrollet kufitare të vendit si një mjet për manipulim politik dhe shpërqendrim nga gabimet e brendshme.
Në një kthesë ironie të fatit, Gjokoviçi e pa veten të bllokuar në të njëjtin hotel me dhjetëra refugjatë dhe azilkërkues, të cilët kanë ngecur në një gjendje pezull, të paaftë për t’u larguar, pa mundur të hyjnë. Dhe burgosja e tyre është një luks relativ në krahasim me gjendjen e vështirë të azilkërkuesve të tjerë në Australi – mijëra prej të cilëve lëngojnë në qendrat e paraburgimit në det të hapur. Të gjithë janë viktima të mizorisë kufitare.
Për një komb migrantësh, ky obsesion me kontrollin e kufijve duket i papajtueshëm. Por është rrënjosur thellë në kulturë.
Në kurriz të qytetarëve të saj
Nuk është çudi, pra, që qëndrimi instinktiv i Australisë përballë pandemisë ishte mbyllja e kufijve të saj, pavarësisht nga numri i njerëzve. Në fakt, funksionoi për një kohë. Ky vend ishte në gjendje ta mbajë larg Covid-in për një kohë mbresëlënëse. Dhe kjo strategji ishte e preferuar. Bashkatdhetarët e mi dukeshin krenarë në heshtje për këtë politikë të ashpër kufitare.
Por, siç bëjnë gjithmonë këto politika kufitare, mbyllja bëri që shumë njerëz të vuajnë.
Unë vetë ka dy vjet që nuk mund ta takoj familjen time. Edhe nëse Australia më në fund mund të hapë kufijtë e saj ngadalë, Australia Perëndimore, ku jeton familja ime, mbetet e mbyllur.
Australianët që jetojnë në mbarë botën kanë mundur të kthehen në shtëpi vetëm duke paguar dhjetëra mijëra dollarë. Emigrantët që jetonin në Australi nuk mund të largoheshin për të vizituar të afërmit e sëmurë jashtë vendit, sepse e dinin se nuk do të mund të ktheheshin në atdheun e tyre të ri.
Por kjo u pa si një dëm kolateral i pashmangshëm. Si dëshmi se politikat funksionojnë.
E ekspozuar ndaj gjithë botës
Unë e kam ditur gjithmonë se politika kufitare e Australisë ishte mizore. Tani ajo njihet si e tillë në mbarë botën. Por braktisja e qytetarëve të vet nga Australia dhe ndarja e pamëshirshme e familjeve ka kaluar një prag që unë mendoja se ishte i papërfytyrueshëm.
Po ta fitojë Gjokoviçi çështjen e tij dhe lejohet të hyjë në vend, mirë për të. Por situata e çuditshme me të cilën ai u përball, i ka ekspozuar botës politikat kufitare kafkiane të Australisë.
Australia duhet ta përdorë këtë moment për të rimenduar qasjen e saj të fortesës dhe për t’i dhënë përparësi mirëqenies njerëzore mbi fitoret e lira politike./ DW
Top Channel