Shkon në 60 numri i të shoqëruarve për dhunën në protestën e ditës së djeshme në selinë blu.

Protesta e thirrur nga Seli Berisha në selinë e PD, nisi në mesditë dhe mbështetësit e Berishës dhanë shenjat se vazhdimi do ishte i dhunshëm.

Ata nisën të shajnë dhe fyejnë të gjithë deputetët që mbështesin Bashën. I pari ishte deputeti Xhelal Mziu.

Me të njëjtën situatë u gjend edhe Roland Bejko, anëtar i kryesisë të kësaj force politike i cili edhe u godit teksa donte të hynte në selinë blu. Mbështetësit e Berishës e detyruan të largohej.

“Më goditi njeri që e mbajta me bukë”, tha Bejko.

Sali Berisha mbërriti ekzaktësisht rreth orës 12 në oborrin e PD, ndërkohë që Lulzim Basha për të evituar incidentet hyri në seli që në orën 8:00. Ky ishte mesazhi i parë nga Sali Berisha.

Misioni protestuesve ishte i qartë. Futja me çdo kusht në selinë blu. Ata mundën të hynë vetëm më katin e parë e tentuan pa sukses të çmontonin dyert e blinduara që të çojnë në katin e dytë.

Tentativa për të marrë selinë vijoi nga jashtë përmes shkallëve. Ata që donin të realizonin futjen nga dritaret u përballën me gaz lotsjellës i hedhur nga brenda selisë së PD.

Vendosmëria për të marrë selinë u përqendrua në një derë anësore duke vënë në përdorim leva e varre. Nga të vetmet të çara që mundët të bënin, morën mbrapsht një sasi të madhe gazi lëshuar nga brenda.

Pas më shumë se dy orë protestë, selia e PD u kthye në një zonë krimi me dëme të shumta në pjesën e përparme të saj. Ndërhyrja e policisë me kërkesën e PD bëri që të shpërndaheshin protestuesit ndërsa Berisha ndodhej brenda selisë.

Më pas, Berisha u largua në drejtim të Kryeministrisë ku edhe lajmëroi shpërndarjen e protestës.

“Shpërndahemi të merremi me të plagosurit dhe të arrestuarit”, tha Berisha.

Brenda në selinë e PD qëndruan drejtuesit, deputetët mbështetës të Bashës që mbrojtën dyert dhe policia në oborr.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA