Persona të armatosur kanë vrarë mbi 200 njerëz në një seri sulmesh në veri të Nigerisë, thanë të dielën autoritetet në këtë shtet.

Sulmuesit shenjëstruan gjithsej tetë fshatra në Zamfara në mes të së martës dhe të enjtes së javës së kaluar.

Më shumë se 10,000 njerëz kanë mbetur të pastrehë nga dhuna, ndërsa shumë janë ende të zhdukur, tha Ministria e Çështjeve Humanitare, Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Zhvillimit Social.

Kreu i kësaj ministrie, Sadiya Umar Farouq, i përshkroi sulmet si “të tmerrshme dhe tragjike. ”

Farouq tha se sulmet u kryen nga më shumë se 500 banditë që hipnin mbi motoçikleta, duke rrafshuar shtëpitë dhe duke vrarë njerëz përkundër pranisë së autoriteteve të sigurisë.

Aktivitetet e tyre të dhunshme i janë atribuuar pjesërisht ndryshimeve klimatike, të cilat kanë shkaktuar një thatësirë në shumë vende ku ata kullosnin kafshët e tyre.

Se kush qëndronte pas sulmeve më të fundit mbeti e paqartë.

Zyrtarët e sigurisë thonë se disa prej bandave kanë lidhje me grupe ekstremiste islamike si Boko Haram.

Sulmet, në të cilat u dogjën shumë shtëpi, erdhën pavarësisht nga një operacion ushtarak që synonte arrestimin e këtyre bandave.

Fëmijët e shkollave gjithashtu rrëmbehen shpesh në këtë rajon me qëllim që të përfitojnë para në këmbimit të lirimit nga familjet e viktimave.

Tridhjetë studentë të rrëmbyer nga një kolegj qeveritar në shtetin fqinj Kebbi u liruan të shtunën pasi kaluan më shumë se gjashtë muaj në robëri.

Nuk ishte e qartë nëse ishte paguar ndonjë para për shpërblim.

Disa nga studentët e rrëmbyer janë ende duke u mbajtur./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA