“Vijojnë protestat”/ Berisha pas protestës në selinë blu: S’jemi në betejë për zyrën, por për të mbrojtur pluralizmin politik

08/01/2022 18:40

Ish-kryeministri Sali Berisha në një komunikim për mediat pas protestës së dhunshme të ndodhur në selinë blu tha se beteja nuk është për një zyrë por për të mbrojtur pluralizmin politik në vend.

Sipas Berishës kjo ishte një protestë paqësore, ndonëse dukej qartë dhuna e përdorur nga mbështetësit e tij me mjete të forta.

“Dhunë dhe terror policor i paparë nonjëherë në historinë e protestave. Sot u faktua thjesht dhe përfundimisht se Lulzim Brava është në një aleancë krimi, gazi, dhune ndaj demokratëve dhe PD me Edi Ramën peng marrësin e tij. E vërteta është se protesta madhështore ishte tërësisht paqësore. Protesta kishte për detyrë të hapte dyert e blinduara nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha. 12 demostrues janë në spitale, janë ndaluar pa asnjë motiv, të rinj të kapur në rrugë për fajin e vetëm se kanë marrë pjesë në protestë. Pavarësisht nga këto veprime të një tradhtari të vërtetë që sot nxori më shumë fytyrën e tij. Unë i garantoj se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD do tu japë përgjigjen në kohën më të shpejtë. Ne nuk jemi në betejë për një zyrë, jemi në betejë kundër një përpjekje armiqësore të hapur në mbrojtje të pluralizmin politik në Shqipëri”, th Berisha.

Berisha i prerë përsëriti se protestat do të vijojnë nga demokratët për të çliruar PD-në nga kthetrat e Bashës të marrë peng nga kryeministri Edi Rama.

“Shqiptarët panë se ka më në fund një opozitë të vërtetë të tyre që është e gatshme të përballet dhëmb për dhëmb nga regjimi më i keq që nga koha e Enver Hoxhës. De fakto Basha zëvendësoi puçin e familjes, u bë ministri i brendshëm i Edi Ramës me qëndrimin ndaj demokratëve. I qëndroj plotësisht dhe me vendosmëri karakterit paqësor të protestës sonë. Do jemi në protestë dhe vetëm protesta”, tha ai.

Ish kreu i PD-së, theksoi se askush nuk do ta shpëtojë Bashën nga demokratët edhe sikur të futet në vrimën e miut.

“As vrima e miut nuk e shpëton më nga populli opozitar Lulzim Bashën. Sot u arrit shumë, u arrit se çfarë përfaqëson Lulzim Basha për juve, Lulzim brava vegël mjerane e Edi Ramës, kjo ditë do të mbetet në memorien e shqiptarëve. Që aty ka vrasës është e  padiskutueshme, që aty ka persona në kërkim është shumë evidente, janë madje në foto që e tregojnë”, tha Berisha.

Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Godina e selisë së Partisë Demokratike, u sulmua me forcë nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Vetëm ndërhyrja e policisë arriti të qetësonte situatën e rëndë të krijuar, ndërsa u hodh gaz lotsjellës dhe ujë me autobote.

25 protestues dhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë së Partisë Demokratike janë shoqëruar në polici për veprime të dhunshme.

Policia njofton se po vazhdon punën për identifikimin e shtetasve që dhunuan dhe shkatërruan pronën publike, gjatë protestës që mbajtën këtë të shtunë mbështetësit e Sali Berishës në selinë blu, ndërsa hetimet vijojnë me në krye kryeprokuroren Elizabeta Imeraj.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel