Shtëpia e Bardhë i pret krahët Moskës: Nuk i tërheqim trupat nga Europa Lindore

08/01/2022 19:01
Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë njoftimet se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e tërheqjes së forcave amerikane nga Europa Lindore, para bisedimeve me Rusinë javën e ardhshme.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e bëri sqarimin në përgjigje të një kërkese nga Zëri i Amerikës, pasi rrjeti NBC News njoftoi më herët se zyrtarët amerikanë po përgatiten të propozojnë diskutime për reduktimin e dislokimeve të trupave amerikane dhe stërvitjeve ushtarake në Europën Lindore, nëse Moska tregon se është serioze për negociata.

Ne kemi qenë të qartë me Rusinë, publikisht dhe privatisht, se nëse Rusia ndërhyn më tej Ukrainë, ne do t’i përforcojmë partnerët tanë të NATO-s në krahun lindor, ndaj të cilëve kemi një detyrim të shenjtë si aleatë”, tha zyrtari në fjalë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po “bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e NATO-s ndërsa e përballojnë krizën së bashku”. Moska ka paraqitur kërkesa gjithëpërfshirëse, përfshirë që NATO të zvogëlojë praninë në Europën Lindore dhe të mos anëtarësojë Ukrainën, kërkesa të papranueshme për SHBA-në dhe Europën.

Kjo është padyshim pjesë e skenarit të njohur (të Moskës), të paraqesë një listë kërkesash absolutisht të papramueshme, për të pretenduar më pas se pala tjetër nuk po angazhohet dhe për ta përdorur si justifikim për veprime agresive”, është shprehur kryediplomati amerikan.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përjashtoi çdo mundësi për ndalimin e zgjerimit të vazhdueshëm të aleancës ushtarake për të trajtuar shqetësimet e sigurisë që vijnë nga Rusia, duke hedhur poshtë një pjesë themelore të kërkesave të Presidentit Vladimir Putin për lehtësimin e tensioneve me Ukrainën.

Top Channel