Është shënuar incidenti i parë para selisë së Partisë Demokratike mes Roland Bejkos dhe disa simpatizantëve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nga pamjet e Top Channel shihet që protestuesit kanë ofenduar dhe ndaluar të hyjnë në seli sekretarin e PD-së, Bejko.
Mësohet se protestuesit kanë tentuar ta godasin, ndërsa e kanë përzënë nga oborri i selisë së PD-së.
Bejko në deklaratën e tij jashtë selisë theksoi se, “ishte kërcënuar nga mbështetësit e Berishës, por se nuk kishte frikë nga asnjë”.
“Kjo që ndodh tani më ka ndodhur në shkurt të ’91-it. Ishim duke organizuar grevën e studentëve kundër Enver Hoxhës. Kam qenë organizator. Kur po bënim atë grevë, erdhën mbështes të Hoxhës dhe na kanë shkelur me këmbë”, paralelizoi deputeti i PD-së.
Sipas tij, e gjithë kjo situatë është një produkt i Sali Berishës.
Nga vëzhgimi në terren, fillimisht ka mbërritur kreu i PD-së Lulzim Basha në godinë, më pas sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe dy nënkryetarët, Enkelejd Alibeaj dhe Grida Duma.
Pamjet e Top Channel treguan se gjithë oborri është mbushur me një numër të lartë të makinave të parkuara të zyrtarëve dhe punonjësve të PD-së. Diçka e tillë, siç sqaroi dhe gazetari nuk është praktikë e zakonshme e ditëve normale.
Top Channel