Deputeti demokrat Ervin Salianji në një deklaratë nga selia blu tha se Godina nuk vlen më shumë se jeta e demokratëve.
Ai tha se ish-kryeministri po përdor demokratët, por ravijëzoi se gazi dhe dhuna nuk janë zgjidhje.
Sipas Salianjit, mbështetësit e Berishës kanë përdorur çdo mjet dhune ndaj PD-së, burrave dhe grave që kanë punuar për PD-në dhe që zgjidhjen nuk e mendojnë se vjen nga dhuna, gurët dhe përplasjet.
“Asnjë milimetër gjak, asnjë centimetër e kësaj godine nuk vlen më shumë sesa jetët e çdo demokrati. Vendosja e tyre duke mos pyetur për asnjë lloj limiti”, ka deklaruar ai.
Edhe njëherë Salianji ka bërë thirrje që dhuna të mos bëhet zgjidhje.
“Në çdo centimetër të kësaj godine gjen shenjat e dhunës”, tha ai.
Situata në selinë e Partisë Demokratike u qetësua pasi policia ndërhyri me kërkesë të deputetëve që ndodheshin brenda saj të cilët kishin deklaruar se ndjeheshin të kërcënuar nga sulmi i dhunshëm i mbështetësve të ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Njësitë speciale morën kontrollin e godinës. Oborri dhe e gjithë zona përreth u boshatis, pas përdorimit të gazit lotsjellës.
Ish-kryeministri Berisha nga ana e tij foli për “një ndërhyrje kriminale” nga ana e policisë, duke deklaruar më pas se kjo që ndodhi “është vetëm faqja e parë e një lëvizje të pandalshme”. Gjatë ditës, përfaqësitë e huaja diplomatike dënuan dhunën.
Top Channel