Protesta në PD, Alibeaj: Kapitull i ri në partinë e çliruar nga hijet e së shkuarës

08/01/2022 21:24

Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj ka postuar pamje të protestës së kësaj të shtune të thirrur nga Sali Berisha.

Sipas tij, ky sulm i turpshëm do të mbahet mend si dita e fundit e Berishës në politikë dhe si fillimi i një kapitulli të ri për Partinë Demokratike, të çliruar nga hijet e të shkuarës, nga dhuna dhe mentaliteti komunist!”

“Demokratët, shqiptarët dhe bota mbarë e pa se si Sali Berisha orkestroi dhe udhëhoqi një sulm kriminal mbi Partinë Demokratike për ta shndërruar atë në një bunker për hallin e tij personal. Ky sulm i turpshëm do të mbahet mend si dita e tij e fundit në politikë dhe si fillimi i një kapitulli të ri për Partinë Demokratike, të çliruar nga hijet e të shkuarës, nga dhuna dhe mentaliteti komunist!”, shkruan Alibeaj.

Godina e selisë së Partisë Demokratike, u sulmua me forcë nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Vetëm ndërhyrja e policisë arriti të qetësonte situatën e rëndë të krijuar, ndërsa u hodh gaz lotsjellës dhe ujë me autobote.

25 protestues dhe 8 persona që ndodheshin brenda selisë së Partisë Demokratike janë shoqëruar në polici për veprime të dhunshme.

Policia njofton se po vazhdon punën për identifikimin e shtetasve që dhunuan dhe shkatërruan pronën publike, gjatë protestës që mbajtën këtë të shtunë mbështetësit e Sali Berishës në selinë blu, ndërsa hetimet vijojnë me në krye kryeprokuroren Elizabeta Imeraj.

Top Channel