
Ministri i Drejtësisë,Ulsi Manja ka reaguar pas mbylljes së protestës së dhunshme të thirrur nga ish kreu i PD-së, Sali Berisha.
Manja e ka cilësuar si sfidën më të komplikuar të policisë së shtetit ngjarjen e sotme, duke theksuar se do të dalin para ligjit të gjithë shkelësit e skenës së krimit.
Ministri u ka bërë thirrje palëve që të vetëpërmbahen dhe të mos pengojnë me veprime ose mosveprime të qëllimshme organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën.
“Sot ka qenë ndoshta sfida më e komplikuar për një Polici Shteti në demokraci, sepse kjo e sotmja është një ngjarje e padëgjuar në historinë politike të planetit. S’ka bërë vaki në botë që një parti politike të kthehet në një arenë lufte me mjete mesjetare, mes dy palësh të ekstremizuara në skaje të papara ndonjëherë. Policia e Shtetit e ka kaluar me dinjitet të lartë profesional këtë sprovë përballë papërgjegjshmërisë më absurde të të dyja palëve të përfshira në konflikt. Tani që më e keqja ka kaluar më së miri, prokuroria dhe policia duhen mbështetur pa rezervë në kryerjen e detyrës së nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve të asaj skene krimi jashtë dhe brenda godinës së këtij ballafaqimi mesjetar. I bëjmë thirrje palëve të vetëpërmbahen dhe të mos pengojnë me veprime ose mosveprime të qëllimshme, organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën”, sipas Manjës.
Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Top Channel