Qytetarët që prishin rendin dhe sigurinë, duke ndërmarrë akte dhunë do të përballet me forcën e ligjit, shkruan policia e shtetit, duke iu referuar protestës së dhunshme të demokratëve.
“Sqarojmë opinionin publik se asnjë nga strukturat e Policisë së Shtetit të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë nuk është përfshirë në asnjë veprim dhe nuk ka hedhur asnjë send të kundërligjshëm në selinë e Partisë Demokratike, gjatë protestës që është duke u zhvilluar.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin e sigurinë dhe u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune apo prishje e rendit dhe sigurisë, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, njofton policia.
Mbështetësit e Sali Berishës kanë sulmuar selinë e PD-së, duke thyer dyert e dritaret me gurë, çekiç, leva dhe mjete të tjera rrethanore. Ish-lideri demokrat i kërkoi Lulzim Bashës të largohet nga drejtimi i partisë dhe të lirojë zyrën. Pasi ultimatumi përfundoi në 5 janar dhe Basha nuk e bëri një gjë të tillë, mbështetësit e Berishës dolën në protestën, që degradoi në dhunë.
Top Channel