Policia ndal përleshjen në PD/ Ndërhyrja pasi deputetët kërkuan ndihmë se u rrezikohej jeta

08/01/2022 19:32

Vetëm ndërhyrja e policisë arriti të përshkallëzonte dhunën dhe qetësonte situatën e krijuar këtë të shtunë nga protesta e thirrur nga Sali Berisha.

Mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha kanë provuar të hyjnë nga drejtime të ndryshme. Një tentativë e disa personave që me anë të shkallëve u ngjitën në katin e dytë, në një ballkon në krahun e majtë, u zmbraps, nga disa persona nga brenda godinës.

Një prej protestuesve mbeti i plagosur në kokë. Përpjekjet e tjera po ashtu janë zmbrapsur, ndërsa nga brenda selisë po përdoret gazlotsjellës.

Duke përdorur shkallët, mbështetësit e zotit Berisha kanë tentuar të hyjnë në katet e sipërme, duke përdorur dhe sende të forta e gurë që kanë thyer xhamat. Një derë e blinduar në krahun e djathtë të godinës u arrit të hapej.

Policia ndërhyri në një kohë të shkurtër duke përdorur gazin lotsjellës. Mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha u shpërndanë. Njësitë e policisë arritën të marrin kontrollin e godinës së PD-së, duke vendosur një numër të madh efektivësh në hyrjen kryesore të saj.

Për situatën e krijuar pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata njëzëri dënuan aktet e dhunës, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë me qetësi.

Policia, pas qetësimit të situatës, njoftoi se ka shpallur “skenë krimi” godinën e PD-së, duke vendosur shiritat e verdhë në ambientet e jashtme të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA