Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me tensionet e krijuara në selinë e Partisë Demokratike këtë të shtunë nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili disa javë më parë thirri një protestë kombëtare me qëllim nxjerrjen jashtë nga godina e selisë të kryetarit Lulzim basha.
Në një deklaratë për mediat, Presidenti Meta ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme.
“Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, thotë Meta.
Presidenti nënvizon se rëndësia e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, duhet respektuar nga të gjithë!
Mbështetësit e Berishës janë futur në selinë e Partisë Demokratike duke përdorur trapanë e çekiçë. Ata po tentojnë të hapin dyert e blinduara të godinës.
Protestuesit kanë thyer disa xhama të selisë dhe kanë hedhur mjete të forta gjithashtu.Nga brenda në drejtim të protestuesve është hedhur një solucion që dyshohet si gaz lotsjellës dhe fikës zjarri.
“Kujt ua mbyll dyert Basha? Demokratëve?” ishte pyetja qe drejtoi Berisha gjatë zhvillimit të protestës
Top Channel