Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat pas protestës së zhvilluar sot në selinë e PD nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Para komunikimit me gazetarët, Basha ka zhvilluar një tur bashkë me mediat duke treguar dëmtimet brenda selisë së PD nga protesta.
Basha tha se ishte paralajmëruar pushimi i selisë së PD me forcë. Ajo që nisi me pretekstin për një lëvizje demokratizuese, tregoi sot tha Basha, fytyrën e vërtetë.
“Beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd tjetër pëveç vetes dhe në këtë betejë nuk kursen askënd”, tha kreu i PD.
Basha tha se “Berisha ka pasur sot, de fakto ditën e fundit politike në Shqipëri”.
Sipas tij, kjo është një mundësi për demokratët për t’u shkëputur njëherë e mirë nga “trashëgimia e tij e zezë”.
“Vula e kësaj tragjedia do të mbetet 8 janari”, deklaroi kreu i PD.
Basha tha se Berisha dhe Rama janë si dy vëllezër siamezë, ku njëri manipulon zgjedhjet dhe tjetri kërkon të përdorë PD për t’u mbrojtur.
“Po i bën shërbimin më të mirë Edi Ramës, që nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij këto kohë”, tha kreu i PD.
Kreu i PD vlerësoi punën e punonjësve të Policisë së Shtetit, por shprehu rezerva për rolin e drejtuesve të policisë.
Kryedemokrati tha se Sali Berisha nuk pranon rregullat demokratikë, kushtetutën e partisë, garën e vërtetë, duke vazhduar me avazin e vjetër, sipas tij, ku vetë voton dhe vetë numëron. Basha u shpreh se Berisha ishte i vetëdijshëm se një farsë e tillë nuk certifikohej në gjykatë, prandaj urdhëroi këtë protestë.
“Nuk pranon rregullat demokratikë, kushtetutën e partisë, garën e vërtetë por vazhdon avazin e vjetër, vetë voton vetë numëron. I vetëdijshëm se një farsë e tillë nuk certifikohej në gjykatë, urdhëroi këtë proteste. Dua të falënderoj të gjithë që bënë të pamundur nënshtrimin e selisë së demokratëve ndaj organizatës kriminale të Sali Berishës. Me mjete terroriste kërkoi që të merrte selinë për t’i shpëtuar non-gratës nga SHBA. Dua tju them të gjithëve se në një ditë si kjo, Sali Berisha i ka bërë kësaj partie, dëmin më të madh, i ka dhënë mundësinë demokratëve që të shkëputen njëherë e mirë nga trashëgimia”, tha Basha.
Top Channel