3 orë ‘luftë’ për të marrë PD-në! Berisha mbyll protestën e dhunshme: Do rikthehemi me forma të fuqishme!

08/01/2022 14:24

Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri Sali Berisha ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Dy orë para se protesta të fillonte zyrtarisht, godina e selisë së Partisë Demokratike, u sulmua me forcë nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët iu përgjigjen thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndron kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Që në krye të herës dera kryesore e selisë u hap me forcë, përpara orës 12:00, e cila përkon me orën kur ishte thirrur protesta. Xhamat e saj janë thyer por protestuesit u ndalën në pjesën e hollit, ku me sa duket janë gjendur përpara dyerve të tjera të përforcuara me veshje hekuri.

Pas këtij momenti nuk ka pasur asnjë çast qetësie. Mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha kanë provuar të hyjnë nga drejtime të ndryshme. Një tentativë e disa personave që me anë të shkallëve u ngjitën në katin e dytë, në një ballkon në krahun e majtë, u zmbraps, nga disa persona nga brenda godinës. Një prej protestuesve mbeti i plagosur në kokë. Përpjekjet e tjera po ashtu janë zmbrapsur, ndërsa nga brenda selisë po përdoret gazlotsjellës.

Duke përdoru shkallët, mbështetësit e zotit Berisha kanë tentuar të hyjnë në katet e sipërme, duke përdorur dhe sende të forta e gurë që kanë thyer xhamat. Një derë e blinduar në krahun e djathtë të godinës u arrit të hapej.

Me anë të një deklarate për mediat, Partia Demokratike kërkoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në mbrojtje të tyre, me argumentin se Sali Berisha po rrezikon jetën e dhjetëra demokratëve me aktet e dhunës së sotme. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit iu përgjigj thirrjes për ndihmë të një grupi deputetësh të PD-së, duke njoftuar se do të ndërhyjnë menjëherë ndaj organizatorëve të protestës përpara selisë së Partisë Demokratike.

Policia ndërhyri në një kohë të shkurtër duke përdorur gazin lotsjellës. Mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha u shpërndanë. Njësitë e policisë arritën të marrin kontrollin e godinës së PD-së, duke vendosur një numër të madh efektivësh në hyrjen kryesore të saj.

Për situatën e krijuar pati reagime të shumta nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata njëzëri dënuan aktet e dhunës, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të veprojnë me qetësi.

Policia, pas qetësimit të situatës, njoftoi se ka shpallur “skenë krimi” godinën e PD-së, duke vendosur shiritat e verdhë në ambientet e jashtme të saj.

Sipas saj, duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Sot ne do të shpërndahemi. Do të kujdesemi për të plagosurit. Shumë shpejt do të njoftojmë beteja të tjera”.

Me këto tre fjali, ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbyllur zyrtarisht protestën.

 

FOTO GALERI
23/59

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA