“Persona të dënuar për vrasje shoqërojnë Berishën”/ Bardhi: Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit flasin se do ketë gjakderdhje nesër!

07/01/2022 14:42

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për media deklaroi se persona të dënuar për vrasje dhe të përfshirë në fushën e narkotikëve shoqërojnë ish kryeministrin Sali Berisha, ndërsa nuk ka ngurruar të japë edhe emra.

Bardhi thotë se Berisha kërkon të dhunojë selinë e Partisë Demokratike me eksponentë të krimit të organizuar, ndërsa shton se mbështetësit e tij, anëtarët e Komisionin të Rithemelimit flasin se do të ketë gjakderdhje ditën e nesërme, në protestën që është thirrur nga ish kryeministri.

“Flet për vrasës ndërkohë që vrasësit shoqërojnë Sali Berisha, unë kam fakte dhe emra. Petrit Mustafa nuk shoqëron Lulzim Bashën por Berishën, është një i dënuar për vrasje me 17 vite burg, qëndron krahë Berishës. Fatjon Dautaj nuk shkelmoi zyrën e Berishës, por dyert e PD, është në kërkim nga agjencitë amerikane, i përfshirë në akte dhune dhe trafik droge. Këto janë fakte. Nëse Berisha ka ndonjë fakt ti bëjë publike, të mos përpiqet që me gënjeshtra të ndryshojë realitet. Kërkon të dhunojë selinë e PD me eksponentë të krimit të organizuar. Njerëzit e tij kanë folur për gjakderdhje për të shtunë, janë anëtarë të komisionit e rithemelimit. Demokratët do vrasin demokratët? Këtë qëllim ka Sali Berisha? Është qëllimi i një njeriu në dëshpërim që ka humbur arsyen”, u shpreh Bardhi.

Top Channel