Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se varianti Omicron i koronavirusit (COVID-19) nuk do të jetë i fundit dhe se virusi po vazhdon të “evoluojë”.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në konferencën e parë për shtyp të vitit me ekspertë globalë të shëndetit në selinë e organizatës në Gjenevë, deklaroi se javën e kaluar u regjistrua numri më i lartë i rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Ghebreyesus tha se varianti Omicron është më i butë në krahasim me Deltan, veçanërisht te personat e vaksinuar.
“Ashtu si variantet e mëparshme, Omicron shtron në spital dhe vret njerëz. Omicron krijon një efekt cunami, përhapet shumë shpejt dhe vë në presion të madh sistemet shëndetësore në mbarë botën”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Maria Van Kerkhove, drejtuese e ekipit të OBSH-së për luftën kundër COVID-19, e pyetur në lidhje me Omicron-in, nënvizoi gjithashtu se të gjitha vaksinat aktuale janë efektive kundër këtij varianti.
Kerkhove theksoi se varianti Omicron nuk u bë më i ashpër falë vaksinimeve në përgjithësi dhe ftoi edhe një herë të gjithë të bëjnë vaksinat e tyre.
Ajo paralajmëroi se Omicron nuk do të jetë varianti i fundit i COVID-19.
“Për fat të keq, Omicron nuk do të jetë varianti i fundit. Virusi vazhdon të ‘evoluojë’”, tha Kerkhove.
Top Channel