Newcastle United ka zyrtarizuar blerjen e Kieran Trippier nga Atletico e Madridit, me klubin spanjoll që do të përfitojë plot 12 milionë stërlina nga kartoni i anësorit anglez.
Një afrim shumë i rëndësishëm për“Magpies” në këtë merkato dimërore, pasi skuadra e drejtuar nga Eddie Howe renditet në zonën e rënies nga kategoria dhe po kërkon dëshpërimisht përforcime në të gjitha repartet për të shmangur katastrofën.
Pronarët e rinj të klubit, të udhëhequr nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, i kanë dhënë Howe mbështetjen e tyre në këtë dritare transferimesh.
Trippier në intervistën e parë dhënë për faqen e klubit, deklaroi: “Jam i lumtur që i bashkohem këtij klubi fantastik. Më pëlqeu shumë koha që kalova në Madrid, por kur mësova për interesimin e Newcastle United dhe pasi kisha punuar më parë me Eddie Howe, e dija se ky ishte vendi ku doja të isha. Jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë, por i njoh mirë kërkesat e Premier League-s dhe e di se çfarë klubi i mrekullueshëm është Newcastle. Jam i emocionuar që do të dal në St. James’ Park si lojtar i Newcastle.”
Top Channel