“Ka një pikë kur boll është boll”/ Basha pak orë para protestës: Berisha po del kundër demokratëve

07/01/2022 17:52

Protesta e thirrur nga Sali Berisha është lëvizje kundër Partisë Demokratike, kundër demokratëve dhe kundër SHBA-së, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha, në një konferencë për mediet.

Lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori  kur unë mora vendimin për pezullimin e tij, kanë shërbyer për të devijuar fokusin e betejës sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë.

Për hallin e tij që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll”, tha Basha.

Ish-lideri demokrat Sali Berisha ka njoftuar mbajtjen e protestës, nesër në mesditë përballë selisë blu. Basha tha se do të jetë në zyrën e tij gjatë gjithë ditës, duke vazhduar punën si normalisht, por theksoi se Partia Demokratike është e përgatitur për gjithçka, duke lënë të kuptohet se nga protestuesit pritet dhe përdorim i dhunës.

Megjithatë, gjatë intervistës që dha mbrëmë për emisionin “Open”, kryedemokrati tha se nëse një gjë e tillë ndodh, do të bëhet dallimi midis demokratëve dhe kriminelëve. “Demokratët e vërtetë nuk kanë përdorur kurrë dhunë”, tha ai.

Tensionet midis Sali Berishës dhe mbështetësve të tij e nga ana tjetër Lulzim Bashës dhe PD-së zyrtare kanë arritur kulmin. Komisioni i Rithemelimit të PD-së, i inicuar nga Berisha kërkon nga Basha që të lirojë zyrën dhe të heqë dorë nga drejtimi i PD-së, ashtu siç u votua në referendumin kombëtar nga demokratët.

Top Channel