Dy iranianë akuzohen për komplot terrorist ndaj komunitetit hebre në Mançester, dyshohet se përdorën aplikacione të koduara për të siguruar pajisje shpërthyese Me entusiazëm është pritur në Greqi lajmi se Muzeu arkeologjik rajonal i Siçilisë “Antonino Salinas” do t’i japë Muzeut të Akropolit një fragment mermeri nga frizi lindor i skulpturave të Partenonit, në një përpjekje me të cilën autoritetet e dy vendeve shpresojnë se do të inkurajojë rikthimin e veprave të artit që janë marrë nga këto dy vende në periudha të ndryshme.
Ndërkohë muzeu i Siçilisë do të marrë për një periudhë kohore të shkurtër një statujë mermeri të Athinasë të shekullit të 5-të p.e.s. dhe një amforë terrakote në stilin linear, gjeometrik që daton nga mesi i shekullit të 8-të p.e.s.
“Është një shkëmbim shumë i rëndësishëm, sepse ky fragment i vogël por domethënës i Partenonit shkon në Athinë dhe në këmbim do të vijë një skulpturë e rëndësishme e perëndeshës Athina nga Muzeu i Akropolit, që do të pasurojë koleksionet e muzeut Salinas”- tha lberto Samona, Këshilltar Rajonal i Siçilisë për trashëgiminë kulturore.
Pjesa e mermerit e njohur si “Fragmenti i Faganit”, do të ekspozohet e huazuar për 8 vjet fillimisht në muzeun e Athinës, por ekziston vullneti i autoriteteve të Siçilisë për ta dhënë atë për një kohë të pacaktuar në Muzeun e Akropolit.
Bëhet fjalë për një pjesë të mbështjelljes se këmbës së djathtë të një skulpture të Artemidës, perëndeshës greke të gjuetisë, e vendosur në anën lindore të një frizi të skalitur 160 metra që kalonte rreth tempullit dhe nuk dihet mënyra se si konsulli anglez Robert Fagan e ka sjellë në Palermo në shekullin e 19-të dhe me pas e veja e tij ia shiti atë muzeut Regio të Universitetit të qytetit.
“Ky shkëmbim bashkon këto dy struktura nën flamurin e një bashkëpunimi kulturor që lidh dhe forcon edhe më shumë identitetin kulturor që lidh Siçilinë me Greqinë nga shumë këndvështrime: shkëmbimi i artefakteve, rritja e nismave të përbashkëta dhe një proces i tërë që do të lidhë muzeun tonë me atë të Athinës për disa vite”- tha Caterina Greco, Drejtore e Muzeut.
Autoritetet greke vlerësojnë iniciativën me shpresën se ajo inkurajon Muzeun Britanik të kthejë skulpturat e tij, të cilat u morën prej Partenonit nga Lord Elgin, ambasadori britanik në Perandorinë Osmane, në fillim të shekullit të 19-të, një përpjekje e Athinës që ndesh në refuzimin e Londrës prej vitit 1980.
Top Channel