Departamenti i Thesarit i SHBA-së më i shpejtë se gjyqësori i Bosnjës

07/01/2022 20:52

Millorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), emri i të cilit ishte në listën e personave dhe subjekteve të Departamentit amerikan të Thesarit, të cilët, më 5 janar, u sanksionuan për veprime korruptive, përmendet edhe në një pjesë të raporteve të dorëzuara nga Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë (TI në BeH) për korrupsion të lartë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione edhe për Televizionin Alternativ, shtëpi mediatike nga Banja Lluka, siç thuhet, për lidhje me Millorad Dodikun.

Po të njëjtën ditë sanksione janë vendosur edhe ndaj ish-kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial (KLGJP) të Bosnjë e Hercegovinës dhe këshilltarit aktual ligjor të Dodikut, Millan Tegelltija, si dhe ndaj Mirsad Kukiqit, deputet i Lëvizjes për Veprim Demokratik (PDA) në Asamblenë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës.

Ata u futën në listë për shkak të “përfshirjes së tyre në aktivitete të rëndësishme korruptive” dhe u është pamundësuar hyrja në SHBA, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Shtetit, të nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Transparency International në Bosnjë e Hercegovinë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se e ka raportuar Dodikun për korrupsion që nga viti 2008 dhe për skandale lidhur me ndërtimin e objektit të qeverisë, por edhe për raste të tjera.

“Në vitet e fundit kemi pasur disa raportime, të cilat mund të mos kenë pasur lidhje me korrupsionin, por sigurisht me keqpërdorimin e pushtetit, nga njëra anë për shkak të kërcënimeve ndaj votuesve, qytetarëve dhe nga ana tjetër, përgjimeve të opozitës… Në rastet e ngjashme, që asnjëherë nuk kanë çuar diku dhe asnjëherë ndaj tyre, prokuroria, në radhë të parë Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës, nuk ka vepruar”, thotë Ivana Korajlliq, drejtoreshë ekzekutive e Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Hetimet e mëparshme kundër Dodikut

Dodik nuk është gjetur asnjëherë para drejtësisë vendore si i akuzuar për vepra të korrupsionit.

Në vitin 2009, Agjencia për hetim dhe mbrojtje e Bosnjë e Hercegovinës (SIPA) mori në bisedë informative rreth 100 persona, të cilët ndërlidheshin me raportin kundër Millorad Dodikut dhe 15 të tjerëve të dyshuar për manipulim tenderësh, tejkalime të panevojshme të kostove dhe pastrim parash, gjatë ndërtimit të Selisë administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska, ndërtesës për Radio Televizionin e Republikës Sërpska dhe pjesës së autostradës E 661 Gradishka – Banja Llukë.

Ata u akuzuan për dëmtim të buxhetit të Republikës Sërpska dhe shpërdorim të rreth 75 milionë eurove.

Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ia dorëzoi çështjen Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Republikës Sërpska, e cila pezulloi të gjitha hetimet kundër Millorad Dodikut, në dhjetor të vitit 2011, për shkak të mungesës së provave.

Ivana Korajlliç thekson se kur bëhet fjalë për zyrtarët më të lartë dhe liderët e partive politike në Bosnjë e Hercegovinë, rastet kundër tyre, madje edhe kur iniciohen procese gjyqësore, zgjasin me vite dhe shpeshherë nuk çojnë në vendime përfundimtare.

“Ata që duhet të ndiqen kanë kontroll mbi drejtësinë. Ajo që shohim në shumicën e rasteve është se të gjitha këto raporte refuzohen menjëherë, urdhrat për të mos kryer hetime jepen automatikisht, ndërkaq që nga ana tjetër, derisa për disa raportime, ndonëse janë dorëzuar më shumë se tre vjet më parë, ne nuk kemi përgjigje”, ka thënë Korajlliç.

Svetllana Ceniq, ish-ministre e Financave në Qeverinë e Republikës Sërpska (një nga dy entitetet në BeH) dhe analiste ekonomike, beson se me këtë çështje do të duhej të ishin marrë institucionet e Bosnjë e Hercegovinës dhe jo ato amerikane.

“Do të doja më shumë që me të gjitha këto çështje – me akuza të rënda në shpjegimin – të ishte marrë gjyqësori i Bosnjë e Hercegovinës, që të dëshmohet se ka sundim të ligjit në Bosnjë e Hercegovinë, që të kemi punën e këtyre organeve hetuese dhe kontrolluese dhe jo që dikush tjetër të na thotë se sa i kemi zyrtarët të korruptuar”, tha Ceniç për Radion Evropa e Lirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA