Basha: Berisha ka qenë pjesë e vendimeve, nuk mund të sillet sikur vjen nga një ishull pas 8 vitesh

07/01/2022 17:45

Në një deklaratë për mediat, vetëm pak orë nga fillimi i protestës, kryedemokrati Lulzim Basha ka akuzuar këtë të premte ish-kryeministrin Berisha si gënjeshtar, me argumentin se ka përjashtuar vetveten nga vendimmarrjet më të rëndësishme gjatë tetë viteve në opozitë, në një kohë kur ai ka qenë pjesë e tyre.

Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e përjashtuar veten e tij nga vendimmarrjet me të rëndësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qene pjese e vendimmarrjes madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura te PD”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se ka pranuar përgjegjësinë e tij në lidhje me këtë situatë, por theksoi se ish-kryeministri nuk mund të sillet sikur ka qenë në një ndonjë ishull prej nga u kthye pas tetë vitesh.

Sali Berisha ju ka mashtruar keq duke gënjyer, trilluar e shpifur pa hesap kundër meje, pa paraqitur asnjë fakt a provë sado të vogël, e gjithë kjo që të mbledhë pas vetes mbështetës e të bëjë turmën e karshillëkut kundër SHBA dhe të hedhë demokratët kundër njeri tjetrit. Sali Berisha ka shpërdoruar vullnetin e atyre demokratëve që firmosen për thirrjen e një Kuvendi  të Jashtëzakoshëm të PD-së, duke mos lejuar  kalimin e  firmave të  tyre  në rrugën ligjore që përcakton kushtetuta e Partisë”, tha Basha.

Kreu i demokratëve theksoi se Berisha ka mashtruar anëtarët e partisë dhe opinionin publik me të ashtuquajturin referendum, ku sipas tij, vetë bën listat, vetë numëron dhe vetë shton votues sa të dojë për ta çuar numrin aty ku e ka paracaktuar.

Fotografia më e qartë dhe më diskredituese e farsës me emrin referendum janë filmimet në njësinë 8 në zemër të Tiranës ku kanë marrë pjesë në votim më pak se 10 përqind e anëtarëve të PD-së, që komunikata e Sali Berishës në mbrëmje i bën 80 përqind. Ky është pseudo-referendumi, ky është mashtrimi më i madh. Me numra të stisur, me kuti të mbushura, Sali Berisha, për hallin e tij,  thërret demokratët të pushtojnë  dhe asgjesojnë Partinë Demokratike, forumet e saj të ligjshme”, tha Basha.

Në deklaratën e tij, Basha e cilësoi protestën e thirrur nga Sali Berisha “luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokratët”.

Sipas Bashës, ish-kreu i selisë blu, ka mashtruar që në fillesat e lëvizjes së tij të foltores. Kjo me arsyetimin se “Berisha e ktheu në luftë personale shpalljen e tij non grata”.

Berisha ka mashtruar  me përpjekjet  e tij të vazhdueshme për t’ua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes non grata që merr kohë dhe përfshin disa insituticione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës”, deklaroi ai.

Protesta e 8 janarit për Bashën është tub oksigjeni për “regjimin e Edi Ramës”.

Lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori, kur unë mora vendimin e për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën, kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejës sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë”, tha Basha.

Top Channel