Bardhi: Janë të tmerruar nga transparenca dhe adezivët. Berisha nuk ka shanse të kthejë PD në bunker

07/01/2022 14:37

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka dhënë deklaratë për mediat duke thënë se Sali Berisha dhe mbështetësit e tij janë të tmerruar nga transparenca. Bardhi thotë se kanë bërë transparencë në cdo gjë ndërsa ata janë tmerruar nga adezivët në godinën e PD.

Sipas Bardhit, kjo ishte arsyeja përse shkoi sot në selinë e PD dhe lëshoi gënjeshtra. I bindur shprehet se Berisha nuk ka shans e mundësi ta kthejë Partinë Demokratike në bunker.

Bardhi: Janë tmerruar nga transparenca. Erdhën dhe folën për të vdekur në lista të publikuara prej nesh. Të japin një emër. Vetë pranuan transparencë të plotë dhe nxorën gazetarët jashtë. Kanë një muaj që kanë pranuar transparencë financiare për mitingun luksoz dhe tani fshihen.

Janë tmerruar për adezivët në godinën e PD, për banderolat në selinë e PD. Ne kemi bërë transparencë të vullnetit të shumicës së anëtarëve të kryesisë. Kur ne bëmë publik emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, gjeti një gënjeshtër të re. Erdhi sot e lëshoi një lumë gënjeshtrash se dje media i demaskoi votimin në njësinë 8 në Tiranë.

Transparenca me prova e shtynte të vinte sot në shkallët e selisë qendrore të lëshonte gënjeshtra. Sado të përpiqet Berisha të shfokusojë vëmendjen me adezivë e banderola, realiteti është ky, Berisha është pakicë dhe nuk ka asnjë shans e asnjë mundësi që PD ta kthejë bunker ku strehohet ai dhe familja e tij e shpallur non grata.

Top Channel