“Unë jam krimineli që po pëshpërisje”, anëtari i FRPD i drejtohet Bashës: U burgosa që të bëheshe ti kryeministër

06/01/2022 12:30

Të rinjtë e FRPD mbërritën në godinën e selisë së PD, por dyert vijojnë të jenë të mbyllura. Njëri prej tyre ka folur për mediat dhe është prezantuar si Mariglen Doçi, anëtar i kryesisë së PD.

Sipas tij, ai është krimineli për të cilin ka folur kryetari i PD Lulzim Basha dhe se është burgosur që ky i fundit të bëhet kryeministër. Në fjalën e tij bën thirrje që të çlirohet PD, jo të mbyllet me hekura.

“Ftoj mediat të ndjekin fjalën e një krimineli. Unë jam Mariglen Doçi, anëtar i kryesisë së FRPD dhe dua t’i them Lulzim Bashës, unë jam ai krimineli që po pëshpërisje në media dhe për shkak tëndin jam burgos, për të bërë ty kryeministër unë jam burgos. Si unë janë dhe 3300 qytetarë të tjerë, kriminelë, që janë proceduar, kanë qenë në burg për shkakun tënd, për të bërë ty kryeministër.

PD nuk mund të mbyllet me hekura, ne nuk jemi kriminelë, jemi idealistë që e duam PD-në të çliruar jo me si këto metodat e tua. PD nuk duhet të ketë as dyer sepse është simbol i lirisë. Më datë 8 do çlirojmë selinë tonë nga shpura jote dhe më pas hap pas hapi edhe Shqipërinë”, tha ai.

Anëtarët e FRPD kanë vendosur disa adezivë në dyert e selisë së PD ku shkruhej: “PD, parti e rinisë dhe jo burg i sigurisë së lartë”; “Jo bunkerit të diktatorit”.

Top Channel